Jennifer dhe Brad sërish pranë? Takimet që ndezën thashethemet
Written by radio wave on August 10, 2026
Jennifer Aniston dhe Brad Pitt janë rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi raportime të mediave të huaja pretendojnë se ish-bashkëshortët kanë forcuar sërish marrëdhënien e tyre, duke ndezur menjëherë spekulimet për një afrim të ri mes tyre.
Sipas Daily Mail, dy aktorët janë parë së bashku në disa raste gjatë muajve të fundit, ndërsa Brad Pitt thuhet se ka vizituar shpesh edhe sheshxhirimin e serialit “The Morning Show”, ku Jennifer Aniston është protagoniste. Burime pranë produksionit pretendojnë se aktori kalonte kohë me ish-bashkëshorten larg syve të publikut, madje në disa raste kanë drekuar vetëm.
Raportimet rikthejnë në vëmendje edhe takimin e tyre në ceremoninë e SAG Awards në vitin 2020, kur fotografitë e buzëqeshjeve dhe përqafimit të tyre u bënë virale. Thuhet se pikërisht aty ata shkëmbyen kontaktet e reja dhe rifilluan komunikimin.
Megjithatë, pavarësisht zërave që flasin për një afrimitet të ri, burime pranë tyre këmbëngulin se mes Jennifer dhe Brad nuk ka një rikthim romantik. Sipas tyre, dyshja kanë ndërtuar një raport të mirë miqësor dhe vazhdojnë të respektojnë njëri-tjetrin edhe pas më shumë se dy dekadash nga divorci.
Aktualisht, Brad Pitt është në një lidhje me Ines de Ramon, ndërsa Jennifer Aniston thuhet se po jeton një kapitull të ri në jetën e saj personale. Megjithatë, çdo dalje apo takim mes ish-çiftit legjendar vazhdon të tërheqë vëmendjen e fansave, të cilët ende shpresojnë ta shohin një ditë sërish bashkë.