Egla Ceno shpërthen ndaj kritikëve: “Nuk i jap llogari askujt”
Written by radio wave on August 10, 2026
Fituesja e edicionit të tretë të Big Brother VIP Albania, Egla Ceno, ka reaguar me tone të forta pas valës së komenteve dhe kritikave që mori në rrjetet sociale për qëndrimet e saj në mbështetje të protestave.
Përmes një postimi të gjatë, aktorja u është drejtuar ndjekësve që kanë komentuar në profilin e saj, duke thënë se debati ka kaluar kufijtë e mendimit ndryshe dhe është kthyer në sulme personale. Sipas saj, secili ka të drejtë të shprehë bindjet e veta, ashtu siç ajo ka të drejtën të mbështesë kauzat që beson.
Egla ironizoi edhe komentet që lidhen me jetën e saj private dhe eksperiencën në Big Brother VIP, duke theksuar se ato nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimet e saj qytetare. Ajo u shpreh se nuk ndikohet nga sulmet dhe se ka zgjedhur vetë çfarë të ndajë me publikun.
Në reagimin e saj, Ceno theksoi se ndihet e lirë të shprehë mendimin, duke deklaruar se nuk ka “asnjë padron mbi kokë” dhe se lidhja e saj me Shqipërinë mbetet e fortë.
Aktorja bëri të qartë se do të vazhdojë të mbështesë protestat sipas bindjeve të saj personale, duke theksuar se këtë e bën nga dëshira për vendin dhe jo për interesa të tjera. Në fund, ajo u bëri thirrje ndjekësve të respektojnë hapësirën e saj në rrjetet sociale dhe të shmangin sulmet personale, ndërsa postimi i saj ka ndezur sërish diskutime të shumta mes mbështetësve dhe kritikëve.