Pamjet e autopsisë tronditin familjen e Tupac në gjyq
Written by radio wave on August 19, 2026
Dita e dytë e gjyqit për vrasjen e Tupac Shakur në Las Vegas solli momente të rënda emocionale, pasi prokuroria paraqiti para jurisë fotografi nga autopsia e reperit.
Disa prej familjarëve të Tupac u detyruan të largoheshin përkohësisht nga salla, pasi pamjet ishin tepër të rënda. Fotot u shfaqën gjatë dëshmisë së mjekes ligjore Lisa Gavin, e cila shpjegoi në detaje plagët që çuan në vdekjen e artistit.
Tupac u qëllua disa herë në shtator të vitit 1996. Një nga plumbat depërtoi në kraharor dhe shkaktoi dëmtime të rënda në mushkërinë e djathtë, e cila më pas u hoq nga mjekët në përpjekje për të ndaluar gjakderdhjen.
Reperi qëndroi gjashtë ditë mes jetës dhe vdekjes, përpara se të ndërronte jetë më 13 shtator 1996, vetëm 25 vjeç.

Mes emocioneve të forta, kushëriri i tij Zayd Akinyela zgjodhi të qëndronte në sallën e gjyqit. Ai tha se dëshironte të kuptonte sa më shumë rreth asaj që i kishte ndodhur Tupacut dhe se familja kishte pritur rreth tri dekada për ta përjetuar këtë proces.
Ndërkohë, prokuroria vazhdon të mbështesë teorinë se vrasja ishte një akt hakmarrjeje. Sipas akuzës, disa orë para atentatit, Tupac ishte përfshirë në një përleshje me Orlando Anderson, nipin e të akuzuarit Duane “Keffe D” Davis.
Prokurorët pretendojnë se Davis organizoi sulmin, ndërsa të shtënat u kryen nga një Cadillac i bardhë në lëvizje. Ai akuzohet si personi që planifikoi atentatin, edhe pse nuk pretendohet se ishte ai që qëlloi.
Gjyqi vazhdon me dëshmitë e prokurorisë, ndërsa pas gati 30 vitesh, misteri rreth vdekjes së Tupac Shakur po rikthehet në qendër të vëmendjes.