Ariana Grande i jep lamtumirën skenës: “Do ta kujtoj gjithmonë këtë përvojë”
Written by radio wave on September 3, 2026
Ariana Grande ka mbyllur në Londër turneun e saj “Eternal Sunshine”, duke i dhënë fund një kapitulli të rëndësishëm të karrierës dhe duke paralajmëruar një periudhë larg vëmendjes së publikut.
Koncerti i fundit u zhvillua në O2 Arena, ku këngëtarja amerikane u përpoq të mbante emocionet nën kontroll ndërsa i drejtohej fansave për herë të fundit pas 41 performancave në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë fjalimit të saj, Grande nuk e fshehu emocionin dhe pranoi se po përpiqej të fliste pa qarë. Ajo e cilësoi këtë turne si një nga përvojat më të bukura të jetës së saj dhe falënderoi fansat për mbështetjen e vazhdueshme.
“Do ta kujtoj gjithmonë këtë përvojë. Kam fansat më të mirë në të gjithë botën dhe gjithmonë i kam pasur”, u shpreh këngëtarja.
Grande vlerësoi gjithashtu përkushtimin e fansave gjatë koncerteve, veçanërisht ata që kishin zgjedhur të kopjonin stilin e saj karakteristik, me taka, veshë maceje dhe bisht.
“Faleminderit për gjithë punën tuaj të palodhur dhe që vazhdoni ta bëni këtë kaq të veçantë. E shijova çdo minutë të kësaj me të gjithë ju”, tha ajo.
Pas përfundimit të turneut, Ariana pritet të marrë një pushim nga daljet publike dhe aktivitetet profesionale. Menaxheri i saj kishte bërë të ditur më herët se këngëtarja dëshironte ta përfundonte këtë etapë të shëndetshme dhe të lumtur, përpara se të merrte një periudhë të merituar pushimi.
Ditët e fundit të turneut nuk kanë qenë të lehta për artisten. Para koncertit të parafundit, Grande tregoi se kishte dëmtuar këmbën dhe për këtë arsye nuk do të mund të performonte me takat e saj të zakonshme.
Tashmë, pas 41 koncerteve, skena është mbyllur përkohësisht për Ariana Grande. Fansat do të duhet të presin për rikthimin e saj, ndërsa këngëtarja duket se po zgjedh të largohet për pak kohë nga qendra e vëmendjes.