Current track

Title

Artist

Pesë yjet e “Friends” i thanë “jo” dokumentarit për Matthew Perry

Written by on October 5, 2026

Matthew Perry rikthehet në qendër të vëmendjes, por këtë herë historia e tij do të tregohet pa pesë njerëzit me të cilët publiku e lidhi më shumë gjatë karrierës së tij.

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer kanë vendosur të mos bëhen pjesë e dokumentarit të ri të Netflix kushtuar jetës dhe trashëgimisë së Matthew Perry.

Të pestë janë kontaktuar nga produksioni, por kanë zgjedhur të mos japin intervista për projektin. Dhe pas këtij vendimi duket se nuk fshihet ndonjë konflikt apo prishje marrëdhëniesh. Përkundrazi, arsyeja lidhet me mënyrën tepër personale dhe të dhimbshme se si secili prej tyre e ka përjetuar humbjen e mikut të tyre.

Sidomos për Jennifer Aniston, e cila kishte një lidhje shumë të afërt me Perry-n edhe jashtë ekranit, rikthimi para kamerave për të folur gjatë për vdekjen e tij do të ishte një përballje emocionale që ajo nuk dëshiron ta bëjë publike.

Dokumentari “The One About Matthew Perry” do të jetë një seri me tre pjesë dhe do të sjellë rrëfime nga njerëz që e kanë njohur Perry-n në periudha të ndryshme të jetës së tij. Për herë të parë para kamerave do të flasë edhe motra e tij, Mia Perry Bowick, ndërsa projekti do të përmbajë fotografi dhe materiale të papublikuara nga arkivi familjar.

Matthew Perry u nda nga jeta në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Për miliona njerëz ai mbeti Chandler Bing, personazhi që i bëri të qeshnin për vite me radhë, por pas atij humori fshihej një betejë e gjatë me varësinë dhe probleme të rënda personale.

Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse mungesa e pesë “Friends” në dokumentar është kaq domethënëse. Ata nuk kanë zgjedhur të flasin më pak për Matthew Perry-n sepse e kanë harruar. Ndonjëherë, një humbje e madhe është thjesht diçka që nuk dëshiron ta kthesh në një rrëfim televiziv.

Dokumentari pritet të publikohet më 27 tetor në Netflix, vetëm një ditë para trevjetorit të ndarjes nga jeta të aktorit.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist