HYUNA rrËzoheT NË SKENË PAS HUMBJES DRASTIKE NË PESHË: “NUK MBAJ MEND ASNJË GJË NGA PERFORMANCA”
Written by radio wave on November 11, 2025
Ylli i njohur i K-pop-it, Hyuna, ka shqetësuar fansat në mbarë botën pasi u alivanos në skenë gjatë performancës së saj në festivalin muzikor Waterbomb 2025 në Makao, të dielën.
Këngëtarja 33-vjeçare po këndonte hitin e saj “Bubble Pop” kur papritur u rrëzua në dysheme, duke humbur ndjenjat para publikut. Pamjet që po qarkullojnë në rrjete sociale tregojnë momentin kur balerinët e saj vrapojnë për ta ndihmuar, ndërsa një roje sigurie e ngriti dhe e nxori me urgjencë nga skena.

Ngjarja ndodhi vetëm pak kohë pasi Hyuna kishte zbuluar se kishte humbur 10 kilogramë brenda një muaji, pas thashethemeve për shtim në peshë dhe një shtatzëni të mundshme. Në një postim të fundit në Instagram, me mbi 16 milionë ndjekës, ajo kishte ndarë një foto të peshores që tregonte 49 kilogramë, duke pranuar se i kishte qenë e vështirë “të ndryshonte shifrën e parë” të peshës së saj.
Sipas Korea Times, fansat kanë shprehur shqetësim të madh për shëndetin e artistes, e cila më parë, në vitin 2020, ishte diagnostikuar me sinkopë vazovagale — një gjendje që mund të shkaktojë humbje të papritur të ndjenjave për shkak të uljes së tensionit dhe ritmit të zemrës, shpesh e lidhur me stresin, lodhjen apo dietat ekstreme.
Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar se humbja e shpejtë e peshës mund të shkaktojë çekuilibër ushqimor dhe dobësi fizike, faktorë që mund të kenë ndikuar në incidentin e saj.
Pas rikuperimit të shkurtër, Hyuna iu drejtua fansave me një mesazh faljeje në rrjete sociale:
“Jam me të vërtetë shumë, shumë e penduar… Doja t’ju jepja një shfaqje të shkëlqyer, por nuk mendoj se arrita të jem profesionale dhe, për të qenë e sinqertë, nuk mbaj mend asgjë nga performanca.”
Ajo premtoi se do të kujdeset më shumë për shëndetin dhe të punojë për të forcuar qëndrueshmërinë e saj fizike.
Ky incident ka ndezur sërish debatin për presionin e madh që përballin artistët e K-pop-it për të ruajtur një imazh perfekt, shpesh në kurriz të mirëqenies së tyre fizike e mendore.