SHQIPTARJA FIONA RUSHITI SHKRUAN HISTORI, THYEN REKORDIN GUINNESS ME 72 RROTULLIME NË 30 SEKONDA

Written by on October 30, 2026

Një tjetër emër shqiptar i shtohet historisë së rekordeve botërore! Akrobatja Fiona Rushiti ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke hyrë zyrtarisht në librin e rekordeve Guinness me një performancë që kërkon forcë, guxim dhe kontroll të jashtëzakonshëm fizik.

Më 11 qershor 2026, në Tiranë, Fiona realizoi plot 72 rrotullime të plota 360 gradë brenda vetëm 30 sekondave, ndërsa ishte e varur vetëm nga dhëmbët. Një performancë që tashmë është konfirmuar nga Guinness World Records.

Me këtë rezultat, shqiptarja theu rekordin e mëparshëm prej 65 rrotullimesh, të vendosur në vitin 2025 nga akrobati sirian Yazan Ghaiyath Saleh. Fiona arriti ta përmirësojë rekordin botëror me plot shtatë rrotullime.

Pas kësaj arritjeje qëndron një punë e madhe dhe një proces intensiv përgatitjeje. Në përpjekjet e para, Fiona kishte arritur 58 rrotullime, por përmes stërvitjes dhe përmirësimit të teknikës arriti të ngjitej deri në shifrën mbresëlënëse prej 72 rrotullimesh.

Sipas Guinness World Records, ajo e ndërmori këtë sfidë për të testuar kufijtë e aftësive fizike dhe qëndrueshmërisë së saj.

Një rekord i jashtëzakonshëm, i realizuar në kryeqytetin shqiptar, që e vendos Fiona Rushitin në hartën e arritjeve botërore. Sepse ndonjëherë, për të bërë historinë, nuk mjafton të qëndrosh në këmbë… Fiona vendosi ta bëjë këtë edhe duke u rrotulluar në ajër!


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



[There are no radio stations in the database]