Current track

Title

Artist

Sony Pictures nis punën për filmin e parë Labubu, fenomeni global që synon të kthehet në franchise

Written by on November 17, 2025

Sony Pictures ka marrë zyrtarisht të drejtat për ekranizimin e markës kineze Labubu dhe ka nisur zhvillimin e një filmi me metrazh të gjatë, duke lënë të hapur mundësinë që projekti të shndërrohet në një franchise të mirëfilltë. Lajmi vjen pas një viti ku kukullat Labubu u kthyen në një fenomen ndërkombëtar, duke pushtuar rrjetet sociale, tregun e koleksionistëve dhe kulturën pop.

Aktualisht, filmi ndodhet në fazat më të hershme të zhvillimit dhe studioja ende nuk ka shpallur emra për kastin apo ekipin kreativ. Edhe pse projekti ka tërhequr vëmendjen e madhe të fansave, Sony Pictures ka zgjedhur të mos komentojë zyrtarisht rreth tij në këtë fazë.

Labubu, i krijuar fillimisht në vitin 2015, ka njohur një shpërthim të jashtëzakonshëm popullariteti gjatë dy viteve të fundit. Me dhëmbët karakteristikë dhe pamjen unike, kukullat e vogla u shndërruan shpejt në një objekt koleksionimi tepër të kërkuar. Një nga arsyet kryesore të këtij boom-i është mënyra e distribuimit të tyre nga kompania Pop Mart, e cila përdor formatin “kuti të verbra”. Blersit nuk e dinë se cilën figurë marrin deri në momentin që hapin paketimin, gjë që ka krijuar një kulturë të tërë kërkimi, shkëmbimi dhe tregtimi.

Rritja e popullaritetit u përforcua ndjeshëm nga rekomandimet e personazheve të njohur. Në skenën K-pop, Lisa nga grupi Blackpink e quajti Labubu “fëmijën” e saj, duke ndezur edhe më shumë ethet globale për markën. Edhe sportistë të njohur u përfshinë në trend, si lojtari i NBA-së Dillon Brooks, i cili u fotografua në maj duke mbajtur një mjellmë Labubu në një zinxhir gjatë mbërritjes në një ndeshje playoff.

Meqenëse projektet filmike, veçanërisht ato të animuara apo hibride, kërkojnë një proces të gjatë zhvillimi, vendimi i Sony-t shihet si një bast strategjik ndaj vazhdimësisë së famës së Labubu. Studioja duket e bindur se fenomeni nuk është thjesht një trend i momentit, por një markë me potencial të qëndrueshëm për të tërhequr audiencë dhe për t’u zgjeruar në botën e kinemasë.

Fansat presin tashmë detajet e para rreth filmit, ndërsa Sony Pictures përgatitet të kthejë një nga lodrat më të komentuara të momentit në një univers të ri filmik.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist