Jetona Myteveli në Radio Wave: Të jesh sipërmarrës do të thotë të kalosh katër stinët brenda një dite
Written by radio wave on November 18, 2025
Sot në Radio Wave patëm nderin të mirëprisnim Jetona Mytevelin, drejtuese e Qendrës “Balance” dhe promotore e sipërmarrjes femërore dhe inovative në Shqipëri, në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes.
Gjatë intervistës, Jetona theksoi se guvimi dhe motivimi janë thelbësorë për çdo sipërmarrës. “Sipërmarrësit marrin rrezikun për të çuar përpara idetë e tyre dhe kanë motivimin që i mban gjallë,” tha ajo. Shpirti i sipërmarrjes është i pranishëm tek të rinjtë, meshkujt dhe gratë, ndërsa vitet e fundit gratë po tregojnë rezultate të spikatura, sidomos në sektorët inovativë.
Ekosistemi i start-up-eve shqiptare po arrin standarde europiane, dhe Start-Up Albania funksionon si një derë e madhe për idetë novative, duke ofruar mbështetje të detajuar për sipërmarrësit. Po ashtu, plani i qeverisë shqiptare po inkurajon zhvillimin e financimeve dhe politikave që nxisin rritjen e bizneseve të reja.
Jetona nënvizoi rëndësinë e mentorëve, partneriteteve dhe ndërveprimit në suksesin e një sipërmarrësi. “Të jesh sipërmarrës do të thotë të kalosh katër stinët brenda një dite,” tha ajo, duke përshkruar sfidat, emocionet dhe vendimmarrjet e përditshme që përballet çdo sipërmarrës.
Ajo ftoi gjithashtu të gjithë në aktivitetin e Agrofood, të enjten, në Piramidën – Kubi i Gjelbër, ku do të diskutohet një çështje kritike: një e treta e ushqimit të prodhuar hidhet. Tema e takimit është si të shndërrohet kjo humbje në mundësi për inovacion, transformim produktesh dhe biznes social.
Mesazhi i saj për sipërmarrësit ishte i qartë dhe motivues: “Kjo javë është shumë e favorshme për këdo që dëshiron të ecë përpara dhe të gjejë partnerët e duhur. Duhet guxim dhe vendosmëri për të nisur një rrugë të re.”
Në një vend ku inovacioni po bëhet kulturë dhe ekosistemi i start-up-eve po rritet çdo ditë, fjalët e Jetona Mytevelit janë një udhërrëfyes i qartë: ideja e parë është vetëm fillimi, mbështetja, partneriteti dhe veprimi bëjnë diferencën.