Xhoana Sylaj, një nga Top 20 Female Founders 2025, ndan sekrete për suksesin dhe mentalitetin e të rinjve
Written by radio wave on December 9, 2025
Xhoana Sylaj, themeluese e “Diva’s Dialogue” dhe një nga 20 gratë më të suksesshme sipërmarrëse të vitit 2025, ka folur hapur për sfidat e karrierës, punësimit dhe mentalitetin e të rinjve sot.
Ajo theksoi se sfidat nuk janë ekskluzivisht shqiptare. “Edhe jashtë vendit nuk është e lehtë të gjesh punë. Tregu në Gjermani apo vende të tjera është po aq sfidues sa në Shqipëri. Gabimet, servilizmi dhe padrejtësitë ekzistojnë kudo. Vetëbesimi është arma kryesore për t’i përballuar,” tha ajo.
Xhoana shtoi se ekziston një iluzion i madh mbi punët online dhe remote. “Të gjithë vrapojnë drejt këtyre mundësive, por konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe. Ka platforma që dërgojnë mijëra aplikime në ditë, por kjo rrit numrin, jo shanset. Çelësi është cilësia e aplikimit, jo sasia,” shpjegoi ajo.
Një nga mesazhet më të forta që Xhoana solli për publikun shqiptar ishte kultura e largimit nga puna. Ajo theksoi se shpesh në Shqipëri kjo gjë dramatizohet ose shoqërohet me ndjenja faji. Sipas saj, largimi duhet të jetë një akt me dinjitet dhe planifikim, madje edhe një moment për të festuar sukseset. “Duhet të ikim në momentin kulminant, kur kemi arritur gjërat e rëndësishme, dhe jo të presim derisa gjithçka të shkatërrohet,” tha ajo.
Mesazhi kryesor i Xhoanës ishte i qartë dhe frymëzues: “Guxo të kërkosh më shumë. Guxo të ndryshosh. Dhe më e rëndësishmja: guxo të largohesh kur e ke arritur majën.”