Blerina Kalthi live në wave breakfast show: Forcë, rikthim dhe arti që lind nga shpirtin luftëtar
Written by radio wave on December 11, 2025
Historitë më frymëzuese shpesh vijnë nga ata që nuk dorëzohen përballë sfidave të mëdha. Blerina Kalthi është një shembull i tillë. Vetëm 9 muaj më parë, pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit — me 28 seanca kimioterapie, dy transfuzione gjaku dhe palce — ajo nisi të pikturonte me teknikën e veçantë të pikave, një medium krejt i ri për të, të mësuar gjatë trajtimeve shëndetësore nga mësuesja e saj nga Kosova. Çdo pikturë e saj përmban mbi 10,000 pika akriliku, duke pasqyruar durimin, përqendrimin dhe shpirtin luftëtar të artistes.
Për Blerinën, arti është më shumë se krijim; është një rrugë rikthimi dhe forcimi i vetvetes. Përveç pikturave me pika, ajo krijon edhe në gota, filxhanë, personalizime dhe punime me grep, të cilat i ndan me publikun përmes faqes së saj në Instagram, Art Me Zemër.

Sot, një nga veprat e saj më të fundit, “Universi”, është pjesë e ekspozitës “Gratë e Tiranës” në Galerinë Codi, ku Blerina sjell emocion, ngjyra dhe mesazhe shprese. Mesazhi i saj është i thjeshtë, por i fuqishëm:
“O fiton, o humbet. Unë zgjodha të fitoj.”
Ajo beson se secili mund të sfidojë dhimbjen dhe të gjejë forcë tek pasionet, investimi në veten dhe krijimtaria. Historinë e saj frymëzuese Blerina ndau edhe live në emisionin “Wave Breakfast Show” me Ergys Bamci, duke sjellë një mesazh shprese dhe motivimi për të gjithë dëgjuesit.
Historia e Blerinës është një dëshmi e pastër e shpirtit që nuk dorëzohet dhe e fuqisë së artit për të rikthyer shpresën.