Nga TikTok në përplasje reale: detaje të reja nga plagosja e “Gucci”-t
Written by radio wave on December 17, 2025
Dalëngadalë po dalin në dritë detaje të reja lidhur me plagosjen e Fabion Kuçit, i njohur në rrjetet sociale si “Gucci”, një ngjarje që ka tronditur jo vetëm opinionin publik, por edhe botën online ku ai ishte mjaft aktiv. Sipas informacioneve të fundit, konflikti që çoi në episodin e dhunshëm nuk ka nisur në rrugë, por në rrjetet sociale, për t’u përshkallëzuar më pas në një përballje fizike.
Gazetarja Xhensila Kodra, në një lidhje direkte për News24, bëri të ditur se gjatë dëshmisë së tij në polici, Kuçi ka deklaruar se përplasja me autorin e plagosjes ka filluar pas debateve dhe sharjeve në platformën TikTok. Autori, i cili tashmë është identifikuar, është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Fabion Kuçi rezulton me një të kaluar kriminale jashtë Shqipërisë. Ai ka qenë i dënuar në Angli, ku ka vuajtur disa vite burgim. Paralelisht, Kuçi ka ndërtuar një profil të fortë në rrjetet sociale, shpesh i përfshirë në debate të ashpra dhe përplasje virtuale me emra të njohur të botës online, si Kozak Braçi dhe Xhemal Uka, i njohur ndryshe si “Fire”.

Emri i Xhemal Ukës nuk është i panjohur për policinë. Ai është shpallur në kërkim prej disa ditësh edhe për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në zonën e Freskut, ku një 26-vjeçar u dhunua brutalisht me sende të forta dhe çekiç. Pas këtij episodi, Uka u shpall në kërkim, ndërsa autori i drejtpërdrejtë i dhunës u arrestua.
Ndërkohë, policia vijon hetimet intensive për të zbardhur plotësisht rrethanat e plagosjes së Kuçit dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë zinxhir konfliktesh. Autoritetet u bëjnë thirrje dëshmitarëve që mund të kenë informacion të vlefshëm të bashkëpunojnë me organet ligjzbatuese, shkruan iconstyle.al.
Ky rast rikthen edhe një herë vëmendjen tek rreziku i konflikteve që lindin në botën virtuale dhe kalojnë kufijtë e ekranit, duke u shndërruar në pasoja serioze dhe të rrezikshme në jetën reale.