Elsa Larkins – Berberja femër që sjell stilin londinez në Tiranë
Written by radio wave on January 13, 2026
Për herë të parë në studion e Radio Wave 108 FM, u prezantua Elsa Larkins, një berbere femër me eksperiencë ndërkombëtare, një profesion ende i rrallë dhe pothuajse tabu në Tiranë. E formuar profesionalisht në Londër, Elsa është themeluese e markës The Dapper Fox Barbers, një koncept ekskluziv për meshkuj, që tashmë ka sjellë edhe në Shqipëri.
Me dy sallone të suksesshme në Londër, Elsa nuk sheh berberin thjesht si dikë që pret flokët apo rregullon mjekrën, por si një eksperiencë të plotë relaksi dhe kujdesi personal. “Këtu shumica thjesht i presin flokët dhe ikin,” shpjegon ajo, duke theksuar nevojën për një qasje më të plotë dhe rituale të kujdesit për meshkujt.
The Dapper Fox – më shumë se një berber
Salloni i saj frymëzohet nga kultura britanike e berberëve modernë: ambient elegant dhe maskulin, bilardo për klientët, pije falas dhe një qetësi që e bën vizitën të ndryshme nga çdo tjetër. Shërbimet përfshijnë avull për fytyrën, trajtime relaksuese dhe një ambient që shërben si shkëputje nga rutina e përditshme.

Sfidat dhe paragjykimet
Të jesh berbere femër nuk është e lehtë, veçanërisht në Shqipëri, ku klientët shpesh dyshojnë fillimisht. Por Elsa tregon se sapo provon shërbimin, paragjykimi zhduket. “Shumica e njerëzve nuk e dinë çfarë po humbasin deri sa të përjetojnë eksperiencën,” thotë ajo.
Teknika dhe ndryshimi i mentalitetit
Elsa kritikon trendet aktuale të qethjes në Shqipëri: “Shumica e djemve qethen njësoj – i njëjti fade për të gjithë. Duhet të ndryshojë kjo.” Ajo thekson rëndësinë e formës së kokës, tipareve të fytyrës dhe stilit personal, duke theksuar se profesionalizmi duhet të shkojë përtej thjesht ndjekjes së modës.
Nga teatri dhe film te yjet botërorë
Eksperienca e Elsës shkon përtej salloneve: ajo ka punuar në teatër dhe film në Angli, duke realizuar makeup profesional, madje edhe për aktorin e famshëm Vin Diesel, për të cilin thotë se është “një njeri shumë i thjeshtë dhe korrekt”.
Përsa i përket makeup-it, Elsa ka një filozofi të qartë: “Makeup-i për vajzat nuk duhet të zgjasë më shumë se 3 minuta. Është i mjaftueshëm.” Ajo kritikon praktikat në Shqipëri, ku shpesh harxhohet më shumë se një orë e gjysmë, duke e parë si larg filozofisë së bukurisë natyrale.
Një zë ndryshe në industrinë e bukurisë
Elsa Larkins sjell në Tiranë jo vetëm një sallon berberësh, por edhe një mentalitet të ri, profesional dhe ndërkombëtar, që sfidon zakonet e vjetra. Historia e saj dëshmon se kur pasioni, guximi dhe profesionalizmi bashkohen, ndryshimi është i pashmangshëm.