Current track

Title

Artist

Big Brother VIP ndryshon kalendarin e drejtësisë, Monika Kryemadhi shtyn seancat gjyqësore për shkak të “prime”-it

Written by on January 14, 2026

Angazhimi i Monika Kryemadhit si opinioniste në edicionin e pestë të “Big Brother VIP Albania” nuk ka pasur ndikim vetëm në ekranin televiziv, por edhe në axhendën e drejtësisë. Ish-bashkëshortja e ish-presidentit Ilir Meta ka konfirmuar se pjesëmarrja e saj në spektaklin e Top Channel ka sjellë ndryshime konkrete në oraret e seancave gjyqësore që lidhen me dosjen Meta–Kryemadhi në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për shkak të angazhimit të saj të përjavshëm në mbrëmjet “prime” të Big Brother VIP Albania, Kryemadhi i është drejtuar gjyqtares Irena Gjoka me një kërkesë zyrtare për riorganizimin e seancave. Ajo ka kërkuar që gjykimet të mos zhvillohen ditëve të martë, për shkak të transmetimit live të spektaklit, si dhe të shmangen oraret e së mërkurës në mëngjes, pasi emisioni përfundon në orët e vona të natës.

Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata, duke sjellë një riorganizim të plotë të kalendarit të procesit gjyqësor. Si rezultat, të gjitha seancat e ardhshme do të zhvillohen ditëve të enjte, ndërsa seanca e radhës është caktuar për datën 22 janar.

Vetë Monika Kryemadhi e ka bërë publik këtë vendim, duke sqaruar se gjykata ka marrë parasysh angazhimin e saj televiziv. “Seanca tjetër u la në datën 22. Bëra një kërkesë se donin ta linin ditë të martë. Gjyqtarja e pranoi kërkesën time që ditën e martë që kam prime në Big Brother të mos kemi seancë gjyqësore. As të mërkurën në mëngjes se shkon prime shumë vonë”, ka deklaruar ajo, duke zbuluar detaje nga prapaskenat e këtij ndryshimi.

Ky zhvillim ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta në opinionin publik, pasi është e rrallë që një format televiziv të ndikojë drejtpërdrejt në planifikimin e një procesi gjyqësor. Rasti Meta–Kryemadhi, tashmë i ndjekur nga afër prej kohësh, duket se po merr edhe më shumë vëmendje, duke u shndërruar në një nga temat më të komentuara mes politikës, drejtësisë dhe showbiz-it.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist