Enxhi Drapi në Radio Wave: Çfarë duhet të dimë për të drejtat dhe liritë e punonjësve në 2026
Written by radio wave on January 22, 2026
Në Wave Breakfast Show në Radio Wave, juristja dhe menaxherja e Burimeve Njerëzore Enxhi Drapi ndau një pasqyrë të qartë dhe praktike mbi tregun e punës në Shqipëri dhe të drejtat që çdo punonjës duhet të njohë sot.
Sipas saj, format Europass vazhdon të kryesojë si modeli më i pranuar i CV-së, për shkak të qartësisë dhe standardit që ofron. Ajo theksoi se përpara çdo interviste pune është thelbësore përgatitja paraprake: njohja e kompanisë, e pozicionit dhe vëmendja ndaj detajeve si dress code korrekt, komunikim i balancuar, shikimi në sy dhe qëndrimi profesional gjatë intervistës.
Enxhi Drapi u ndal edhe te transparenca në paga, duke theksuar se paga duhet të diskutohet që në fillim të procesit të intervistës dhe se fshehja e saj nuk është normale. Sipas saj, transparenca është baza e një marrëdhënieje të shëndetshme pune.
Në lidhje me fleksibilitetin në punë, ajo theksoi se punët part-time dhe remote janë pranuar shumë mirë në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit, edhe jashtë sektorit të call center-ave. Dy punësimi lejohet, por nuk duhet të krijojë konflikt me punën kryesore, veçanërisht kur bëhet fjalë për konfidencialitetin dhe interesin e kompanisë.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte e drejta për leje vjetore. Enxhi sqaroi se si në administratën publike ashtu edhe në atë private, punonjësit kanë të drejtë në 27 ditë leje në vit, të cilat duhet të merren dhe të ezaurohen në kohë, pasi në disa raste mund të mos paguhen nëse nuk përdoren. Ajo kujtoi gjithashtu se ekzistojnë edhe leje të posaçme, si leja e martesës apo lejet për arsye shëndetësore.
Gjatë bisedës, Enxhi Drapi hodhi poshtë perceptimin se HR është kundër punonjësve, duke theksuar se HR është partner dhe balancues mes punonjësve dhe pronarëve, me rol mbështetës për krijimin e një mjedisi pune të drejtë dhe funksional.
Në përfundim, mesazhi i saj për dëgjuesit e Radio Wave ishte i qartë: njohja e të drejtave, përgatitja profesionale dhe komunikimi i hapur janë çelësi për një marrëdhënie pune dinjitoze dhe të suksesshme.