Horror që tronditi Hollywood-in: ‘Sinners’ thyen rekordin e ‘Titanic’ dhe ‘La La Land’ në Oscars
Written by radio wave on January 23, 2026
Hollywood-i po flet vetëm për një film: “Sinners”. Horror-i i ri i regjisorit Ryan Coogler ka hyrë zyrtarisht në histori, duke rrëmbyer plot 16 nominime në Oscars 2026 – më shumë se legjendarët “All About Eve”, “Titanic” dhe “La La Land”, që secili ishte ndalur në 14. Një rekord i paprecedent për zhanrin horror dhe një moment i rrallë që po rishkruan rregullat e lojës në kinemanë amerikane.
I publikuar në prill 2025, “Sinners” është shndërruar në surprizën më të madhe të sezonit të çmimeve, duke u nominuar në kategoritë më prestigjioze si “Filmi më i Mirë” dhe “Regjisori më i Mirë”, si edhe për interpretimet e tre aktorëve kryesorë: Michael B. Jordan, Wunmi Mosaku dhe Delroy Lindo. Në qendër të vëmendjes është Jordan, i cili interpreton binjakët Smoke dhe Stack, dy personazhe krejt të ndryshëm që i kanë sjellë vlerësime të shumta dhe konsiderohen tashmë ndër rolet më të forta të karrierës së tij. Në kast spikasin gjithashtu Hailee Steinfeld, Miles Caton, Jack O’Connell, Jayme Lawson dhe Omar Benson Miller.

Historia ndjek binjakët që rikthehen në qytetin e tyre të lindjes dhe hapin një klub nate, por planet e tyre marrin një kthesë të errët kur përballen me vampirë dhe me sekretet më të frikshme të së kaluarës. Megjithatë, “Sinners” nuk është thjesht një film frike. Ai përdor elementët e horrorit si metaforë për të prekur tema të ndjeshme si raca, feja, familja dhe dhuna, duke krijuar një rrëfim të errët, por edhe thellësisht simbolik, që ka prekur një audiencë shumë më të gjerë se fansat e zakonshëm të zhanrit.
Në intervista të mëparshme, Ryan Coogler ka pranuar se realizimi i filmit ishte emocionalisht sfidues, pasi për herë të parë kishte krijuar një histori tërësisht origjinale, pa u mbështetur në ngjarje reale apo materiale ekzistuese. Pikërisht kjo liri kreative duket se i ka dhënë “Sinners” forcën për t’u shndërruar në fenomenin më të madh të vitit.
Ceremonia e Oscars do të zhvillohet më 15 mars, në orët e para të 16 marsit sipas orës sonë lokale, dhe “Sinners” hyn në garë si një nga favoritët absolutë. Nëse do të arrijë të kthejë këtë rekord nominimesh në statuja të arta, mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: horror-i sapo fitoi vendin e tij në elitën e Hollywood-it dhe “Sinners” tashmë është pjesë e historisë.