Current track

Title

Artist

“Nuk jam nazist, jam i humbur” – rrëfimi tronditës i Kanye West që po ndez sërish polemika

Written by on January 27, 2026

Kanye “Ye” West ka zgjedhur të flasë, këtë herë jo me këngë apo skandale, por me një rrëfim të gjatë dhe të dhimbshëm që po trazon Hollywood-in dhe botën e muzikës. Në një ese të publikuar më 26 janar në Wall Street Journal, reperi i famshëm ka pranuar hapur pendimin për veprimet e tij më të errëta të viteve të fundit, përfshirë shtypjen dhe shitjen e bluzave me svastikë, simbol i lidhur drejtpërdrejt me nazizmin dhe antisemitizmin.

West zbulon se pas shumë prej këtyre vendimeve që tronditën publikun fshihet një histori shëndetësore e panjohur më parë. Sipas tij, gjithçka nisi me një aksident automobilistik në vitin 2002, i cili i shkaktoi një dëmtim të trurit, të diagnostikuar vetëm në vitin 2023. Ky dëmtim çoi në diagnostikimin e tij me çrregullim bipolar tip 1, një fakt që, sipas Ye, ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si ai e përjetonte realitetin.

Në ese, artisti përshkruan me sinqeritet efektet shkatërruese të çrregullimit bipolar: refuzimin e ndihmës, ndjesinë e rreme të fuqisë dhe sigurisë, humbjen graduale të kontaktit me realitetin dhe shpërthimet impulsive që e shtynë drejt veprimeve për të cilat sot ndihet i turpëruar.

Ai pranon se në fillim të vitit 2025 përjetoi një episod të rëndë, ku paranoja dhe impulsiviteti e çuan drejt vendimeve ekstreme. “Jam ndjerë i poshtëruar nga vetja ime”, shkruan West, duke theksuar se nuk është nazist, nuk është antisemit dhe se “i do hebrenjtë”.

Ky rrëfim vjen pas një periudhe ku emri i tij u shoqërua vazhdimisht me skandale, mohime dhe deklarata kontradiktore. Madje, më herët ai kishte mohuar prodhimin e bluzave me svastikë, duke thënë se nuk do të rrezikonte kurrë fansat e tij.

Tani, West thotë se është i përkushtuar ndaj trajtimit, terapive dhe krijimit të një arti “pozitiv dhe kuptimplotë”. Ai nuk kërkon falje të menjëhershme dhe as simpati të lehtë, por durim dhe mirëkuptim ndërsa, siç shprehet vetë, përpiqet të gjejë “rrugën e tij për shtëpi”.

Një rrëfim i fortë, një pendesë publike dhe një kapitull i ri për një nga figurat më të diskutueshme të showbiz-it modern. Por pyetja mbetet: a do ta falë publiku Ye-n, apo kjo histori do të mbetet një tjetër plagë e hapur në karrierën e tij?


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist