“Biznesi” i tmerrit drejt Europës: 20 vite burg për trafikantin që shantazhonte familjet e migrantëve
Written by radio wave on January 28, 2026
Një histori tronditëse që duket si skenar filmi, por që ka ndodhur realisht, është mbyllur me një dënim të rëndë nga drejtësia holandeze. Gjykata ka shpallur fajtor shtetasin eritreas Tewelde Goitom, duke e dënuar me 20 vite burg për trafikim njerëzish dhe shantazh, veprimtari që u cilësuan si mizore dhe çnjerëzore.
Sipas vendimit, Goitom dhe rrjeti i tij kriminal kishin ngritur një “perandori frike”, ku migrantët mbaheshin dhe keqtrajtoheshin në kampe në Libi. Vuajtjet e tyre shndërroheshin në mjet presioni: familjarët në Holandë detyroheshin të paguanin shuma të mëdha parash për udhëtime tepër të rrezikshme drejt Europës. Vetëm pasi pagesat kryheshin, personat e mbajtur në kampe lejoheshin të vazhdonin rrugën ose të ribashkoheshin me të afërmit e tyre.

Gjykata theksoi se viktimat trajtoheshin si mall tregu dhe jo si qenie njerëzore, ndërsa dhuna psikologjike dhe shantazhi ishin pjesë e përditshme e këtij rrjeti kriminal.
Përveç dënimit me burg, Tewelde Goitom është urdhëruar të paguajë mbi 30 mijë euro dëmshpërblim për viktimat. Megjithatë, ai ka ende dy javë kohë për të apeluar vendimin.
Një çështje që ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes anën më të errët të emigracionit ilegal, ku shpresa për një jetë më të mirë shndërrohet në një makth pa kthim.