“A HOUSE OF DYNAMITE” NGJALL REAGIME TË FORTA DHE SHQETËSIM NGA PENTAGONI
Written by radio wave on October 27, 2025
Filmi më i ri i Netflix-it, “A House of Dynamite”, me regji nga fituesja e Oscar-it Kathryn Bigelow, ka ndezur debat të gjerë që pas publikimit të tij. Projekti kinematografik, që trajton një skenar dramatik të një sulmi bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara, ka ndarë publikun mes entuziazmit dhe zhgënjimit.
Ngjarjet zhvillohen 18 minuta pasi një raketë bërthamore është lëshuar drejt territorit amerikan, duke u rrëfyer nga tre kënde: Shtëpia e Bardhë, Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara dhe presidenti, i luajtur nga Idris Elba. Megjithatë, fundi i filmit është bërë objekt diskutimi të nxehtë në rrjetet sociale, për shkak të mungesës së një përfundimi të qartë.
“Askush nuk dëshiron ta shohë të njëjtën histori tri herë dhe të përfundojë pa përgjigje”, “Më zemëroi, pse nuk mbaroi?”, “Nuk ka zgjidhje në fund, filmi thjesht mbaron”, kanë qenë disa nga komentet që dominuan platformat online.
Pavarësisht kritikave, “A House of Dynamite” ka marrë një vlerësim pozitiv prej 79 për qind në Rotten Tomatoes, duke dëshmuar se ndonëse përçarës, filmi ka lënë përshtypje të forta.
Reagimi më i papritur erdhi nga vetë Pentagoni, i cili shprehu “shqetësim për pasaktësitë e treguara në film”, një deklaratë që vetëm sa shtoi më shumë zhurmën rreth prodhimit.

Në një prononcim për mediat, Kathryn Bigelow sqaroi se qëllimi i saj nuk ishte të ofronte një pasqyrim të saktë ushtarak, por të hapte një debat ndërkombëtar mbi kërcënimin bërthamor dhe mënyrën sesi marrjet e vendimeve të tilla mund të përcaktojnë fatin e njerëzimit.
Filmi duket se ka arritur pikërisht këtë – të trazojë ujërat e debatit publik dhe të rikthejë në qendër të vëmendjes frikën e fjetur të një bote përballë rrezikut bërthamor.