ARJAN YMERI NË “WAVE BREAKFAST SHOW”: “START UP ALBANIA MBËSHTET IDETË E TË RINJVE PA KUFIZIME MOSHE – 177 START UP-E TË FINANCUARA DERI TANI”
Written by radio wave on October 31, 2025
I ftuar në studion e “Wave Breakfast Show” me Ergys Bamcin, drejtori i Start Up Albania, Arjan Ymeri, foli për rrugëtimin e platformës që po nxit zhvillimin e inovacionit dhe sipërmarrjes në vend.
Në pyetjen e parë të Bamcit për mënyrën si nisi iniciativa dhe rolin që ka sot, Ymeri shpjegoi:
“Ne suportojmë rritjen e start up-eve dhe të numrit të nomadëve digjitalë në Shqipëri. Evidentojmë dhe promovojmë çdo ide, pa kufizim moshe. Po inkurajojmë të rinjtë që që në gjimnaz të krijojnë dhe të idejojnë projekte të reja. Mosha më e re që kemi financuar është 18 vjeç, ndërsa fillojmë inkurajimin që nga 14 vjeç e lart.”
Sa i përket fushave që tërheqin më shumë vëmendjen e agjencisë, Ymeri theksoi se Start Up Albania nuk kufizohet në sektorë të caktuar.
“Ne kërkojmë koncepte që të qëndrojnë fort në tregun vendas, por edhe përtej kufijve. Kemi projekte në bujqësi, turizëm, teknologji të lartë, dhe shumë fusha të tjera,” – u shpreh ai.
Një ndër shembujt e suksesshëm që Ymeri përmendi gjatë intervistës ishte aplikacioni “Vrap On”, i cili ka marrë mbështetje nga agjencia.
“‘Vrap On’ është nga ato raste që i themi të gjithëve: mos thërrisni menjëherë taksitë, përdorni aplikacionin! Ai pati ndikim që në fillim dhe suksesi i tij erdhi jo vetëm nga mbështetja jonë, por nga ideja e fortë që kishte pas,” – tha Ymeri.
Në lidhje me shifrat, drejtori konfirmoi se aktualisht janë 177 start up-e që po financohen nga agjencia, të cilat ndahen në tri faza: ideim, krijim dhe dalje në treg.
“Financimi më i madh i dedikohet fazës së tretë, sepse aty shohim realisht ndikimin që kanë në treg. Faza nuk varet nga sektori, por nga zhvillimi i vetë projektit,” – shtoi ai.
I pyetur për përfshirjen e diasporës shqiptare, Ymeri tregoi se Start Up Albania është e hapur edhe për projektet që vijnë nga jashtë vendit.
“Po, mbështesim edhe shqiptarët e diasporës. Vetëm vitin e fundit kemi pasur 35 projekte dhe kemi financuar 15 prej tyre. Kemi pasur aplikime nga Anglia, SHBA, Gjermania e Suedia. Kushti i vetëm është që start up-et të inkorporohen edhe në Shqipëri. Kemi financuar projekte në fushën e cyber security, agritech, dhe shumë të tjera,” – deklaroi ai.
Në fund, Bamci pyeti për periudhën e aplikimeve dhe mënyrën e mbështetjes. Ymeri sqaroi se financimi është i hapur gjatë gjithë vitit, jo vetëm në periudha specifike.
“Ne nuk financojmë vetëm gjatë thirrjeve, por gjatë gjithë vitit. Jemi institucion publik, pa interesa komerciale dhe pa kufizime në përzgjedhje. Çdo fillim viti hapim një thirrje me fond prej 300 milionë lekësh. Start up-et mund të financohen disa herë, nëse është e nevojshme. Ka një proces vlerësimi dhe monitorimi për çdo projekt,” – sqaroi drejtori.
Në mbyllje të intervistës, Arjan Ymeri dha një mesazh motivues për të rinjtë që duan të hyjnë në botën e inovacionit:
“Flisni me 177 start up-et që kemi financuar, merrni informacion dhe shikoni sa shumë janë zhvilluar. Mos u demoralizoni nëse nuk merrni financim menjëherë. Kthehuni më të përgatitur herën tjetër — dyert tona janë gjithmonë të hapura.”