Bebe Rexha “godet” kritikët e saj me një përgjigje epike
Written by radio wave on May 29, 2026
Bebe Rexha është rikthyer në qendër të vëmendjes pas paraqitjes së saj në “American Music Awards 2026”, por jo vetëm për muzikën. Këngëtarja shqiptaro-amerikane u përball me një valë komentesh në rrjet për pamjen e saj fizike, pasi disa përdorues nisën krahasime mes fotove të vjetra dhe videove të saj nga eventi glamour i mbajtur më 25 maj.
Një postim që u bë viral në platformën X pyeste ndjekësit: “Cili është mendimi juaj i parë?”, duke nxitur reagime të shumta ndaj artistes. Por Bebe nuk zgjodhi të hynte në debate apo të justifikohej. Përkundrazi, ajo iu përgjigj situatës me ironi dhe shumë klas.
“Mendimi im i parë? Albumi im i ri ‘Dirty Blonde’ publikohet më 12 qershor dhe mund ta porosisni që tani”, shkroi këngëtarja, duke e kthyer gjithë vëmendjen te projekti i saj më i ri muzikor.
Nuk është hera e parë që Rexha përballet publikisht me komentet për trupin e saj. Artistja ka folur shpesh për presionin që përjetojnë figurat publike dhe për faktin se njerëzit nuk e dinë gjithmonë çfarë sfidash personale apo shëndetësore mund të kalojë dikush larg kamerave.
Bebe ka treguar më herët se vuan nga PCOS, një çrregullim hormonal që ndikon edhe në shtimin e peshës, ndërsa ka kritikuar vazhdimisht mënyrën se si pamja fizike e grave bëhet objekt diskutimi në internet.
Këtë herë, në vend të polemikave, Rexha vendosi të flasë me muzikë. Dhe mesa duket, “Dirty Blonde” po vjen si përgjigjja më e fortë ndaj gjithë zhurmës online.