CHRIS ROCK RRËFEHET PA FILTRA: “ISHA NJË BASHKËSHORT I DËSHTUAR, SHIKOJA SHUMË PORNOGRAFI”
Written by radio wave on November 4, 2026
Komediani i njohur amerikan Chris Rock ka bërë një rrëfim të pazakontë për jetën e tij sentimentale, duke pranuar publikisht gabimet që, sipas tij, ndikuan në shkatërrimin e martesës me ish-bashkëshorten Malaak Compton-Rock.
Në një intervistë për revistën GQ, si pjesë e specialit “Men of the Year 2026”, 61-vjeçari nuk i ka kursyer vetëkritikat kur është pyetur për të kaluarën e tij.
“Unë nuk isha një bashkëshort i mirë. Shikoja shumë pornografi”, është shprehur Rock, duke shtuar se tashmë e ka lënë pas këtë zakon. Sipas tij, nuk konsumon më pornografi prej pesë apo gjashtë vitesh.
Por ky nuk ishte i vetmi gabim për të cilin komediani foli hapur. Ai pranoi gjithashtu se gjatë martesës kishte tradhtuar dhe se nuk kishte qenë gjithmonë një partner i vëmendshëm apo i sjellshëm.
Rock e përshkroi periudhën e kaluar si një eksperiencë që e kishte detyruar të përballej me veten dhe të kuptonte se fama dhe suksesi nuk e bënin të paprekshëm.
Duke përdorur një krahasim me filmat e superheronjve të Marvel, ai shpjegoi se dikur kishte testuar kufijtë e vet dhe kishte menduar se mund të bënte gjithçka, derisa realiteti e kishte përulur.
Martesa e Chris Rock me Malaak Compton-Rock nisi në vitin 1996. Çifti njoftoi ndarjen në vitin 2014, pas afro dy dekadash së bashku, ndërsa divorci u finalizua në vitin 2016. Ata kanë dy vajza, Lola dhe Zahra.
Në të njëjtën intervistë, komediani foli edhe për rëndësinë e terapisë në jetën e tij dhe për diagnozën e një çrregullimi të të nxënit joverbal, të cilën e mori në moshë madhore. Ai shpjegoi se kjo e ka ndihmuar të kuptojë më mirë disa nga vështirësitë që ka pasur në komunikimin dhe marrëdhëniet me njerëzit.
Duket se pas shumë vitesh batutash dhe suksesi në skenë, Chris Rock po zgjedh të tregojë edhe anën më të vështirë të historisë së tij personale. Këtë herë, pa mikrofonin e humorit për ta zbutur rrëfimin.





