Egnatia dhuron spektakël, gjithçka vendoset në Slloveni
Written by radio wave on July 23, 2026
Egnatia ka dhuruar një mbrëmje dramatike në debutimin e saj në raundin e dytë të UEFA Champions League, duke barazuar 3-3 ndaj kampionëve sllovenë të Celjes në një sfidë me shumë emocione dhe përmbysje.
Në një “Egnatia Arena” të mbushur nga tifozët rrogozhinas, vendasit e nisën ndeshjen në mënyrën perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e shtatë. Presioni i Eneo Bitrit solli një autogol të Celjes, duke ndezur atmosferën në stadium.
Skuadra shqiptare zhvilloi një pjesë të parë të mirë dhe krijoi disa mundësi për të dyfishuar avantazhin, por kur dukej se Egnatia do të shkonte në pushim me epërsinë, Kvesiç barazoi për miqtë.
Në pjesën e dytë, Celje arriti të përmbysë rezultatin me Kucys në minutën e 54-të, por reagimi i Egnatias ishte i menjëhershëm. Fernando me një goditje spektakolare riktheu baraspeshën dhe i dha skuadrës shqiptare energji të re për të kërkuar fitoren.
Megjithatë, Kvesiç shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Celjen, duke vendosur sërish sllovenët në avantazh. Por rrogozhinasit treguan karakter dhe nuk u dorëzuan. Futbollisti i sapofutur në lojë, Diabate, barazoi shifrat në minutën e 78-të, duke vulosur rezultatin final 3-3.
Me këtë rezultat, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit. Egnatia do të udhëtojë më 29 korrik drejt Sllovenisë, ku do të kërkojë një rezultat pozitiv për të shkruar historinë dhe për të siguruar kalimin në raundin e tretë të Champions League.