Current track

Title

Artist

Fundi i një epoke! Neymar i jep lamtumirën Brazilit: “U përpoqa… tani ka mbaruar”

Written by on July 6, 2026

Një nga emrat më të mëdhenj të futbollit brazilian ka mbyllur zyrtarisht kapitullin e tij me kombëtaren. Neymar ka njoftuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar menjëherë pas humbjes 2-1 ndaj Norvegjisë në 1/8 e finales së Kupës së Botës, duke i dhënë fund një karriere që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve.

I emocionuar pas ndeshjes së fundit me fanellën verdhejeshile, 34-vjeçari dha një mesazh të shkurtër, por shumë domethënës.

“U përpoqa. U përpoqa. Filloi këtu në stadiumin MetLife dhe përfundova këtu. Tani ka mbaruar”, u shpreh Neymar, duke mos i fshehur emocionet e lamtumirës.

Edhe pse Brazili nuk arriti të shmangte eliminimin, sulmuesi e mbylli aventurën e tij me një gol, duke realizuar nga pika e bardhë në minutat e fundit të sfidës. Një fund simbolik për lojtarin që për më shumë se një dekadë ishte fytyra e “Seleção”.

Neymar largohet si golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Brazilit, me 80 gola në 129 ndeshje, ndërsa përfaqësoi vendin e tij në katër edicione të Kupës së Botës dhe në shumë turne të tjerë madhorë, duke u shndërruar në një ikonë të futbollit brazilian.

Trajneri Carlo Ancelotti e kishte rikthyer yllin brazilian në kombëtare pas një mungese trevjeçare, duke i dhënë mundësinë e fundit për të ndjekur ëndrrën e madhe të titullit botëror. Megjithatë, rrugëtimi i Brazilit u ndërpre nga Norvegjia e Erling Haaland, që me dopietën e tij vulosi eliminimin e pesë herë kampionëve të botës.

Me largimin e Neymarit, Brazili mbyll një kapitull të rëndësishëm të historisë së tij futbollistike. Një epokë plot gola, spektakël dhe emocione merr fund, ndërsa tifozët i japin lamtumirën një prej futbollistëve më të talentuar që ka veshur ndonjëherë fanellën e “Seleção”.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist