Hayden Panettiere, zbardhet shkaku i vdekjes: aktorja ndërroi jetë nga mbidoza aksidentale
Written by radio wave on September 23, 2026
Zbardhet shkaku i vdekjes së aktores amerikane Hayden Panettiere. Sipas Zyrës së Mjekut Ligjor të Qarkut Greenville në Karolinën e Jugut, 36-vjeçarja ndërroi jetë si pasojë e efekteve toksike të një kombinimi substancash, përfshirë fentanilin. Vdekja është klasifikuar zyrtarisht si aksidentale.
Panettiere u gjet pa ndjenja më 16 gusht, në një apartament në Greenville. Në banesë ndodheshin edhe i dashuri i saj, Brian Hickerson, me të cilin kishte një marrëdhënie herë pas here, si dhe vëllai i tij, Zach Hickerson. Sipas raportimeve, të dy kanë njoftuar shërbimet e emergjencës dhe janë përpjekur ta ndihmojnë aktoren përpara mbërritjes së ekipit mjekësor.
Analizat toksikologjike zbuluan në organizmin e saj fentanil dhe 4-ANPP, një nënprodukt kimik i lidhur me fentanilin, si edhe alprazolam, i njohur si Xanax, metokarbamol, një relaksues muskujsh, dhe quetiapinë, një medikament që përdoret për trajtimin e disa çrregullimeve të shëndetit mendor.
Raporti i autopsisë nuk konstatoi shenja traume që të kishin kontribuar në vdekjen e saj. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për rrethanat e rastit dhe po përpiqen të përcaktojnë origjinën e fentanilit. Policia e Greenville ka bërë të ditur se hetimi i saj mbetet aktiv.
Hayden Panettiere u bë e njohur në mbarë botën për rolet në serialet “Heroes” dhe “Nashville”, si dhe në filma si “Ice Princess” dhe “Scream 4”. Para vdekjes, aktorja kishte folur publikisht për varësinë dhe procesin e saj të rikuperimit.