Klodi reagon për ndarjen dhe mohon tradhtinë
Written by radio wave on September 25, 2026
Pas zërave dhe teorive të shumta që kanë qarkulluar ditët e fundit për ndarjen e tij, Klodi ka reaguar publikisht përmes një mesazhi drejtuar ndjekësve. Ai ka falënderuar fansat për mbështetjen, duke pranuar se aktualisht nuk ka përgjigje për t’u dhënë për të gjitha pyetjet që kanë lindur.
“Njerëz, ju dua shumë. Fatkeqësisht nuk di çka tjetër të shtoj. Do të doja shumë t’ju jepja përgjigje, por nuk i kam as unë për t’ju dhënë”, ka shkruar Klodi, duke shtuar se dashuria dhe respekti i tij për ndjekësit mbeten të pandryshuara.
Reperi ka adresuar edhe teoritë që janë përhapur në rrjet lidhur me arsyet e ndarjes. Klodi i ka mohuar pretendimet për tradhti apo keqtrajtim nga ana e tij, duke thënë se këto zëra kanë ndikuar edhe te familja e tij.
“Për sa i përket teorive të shumta, më duket e kotë edhe që po më duhet t’i adresoj, por u bë pak e tepërt. Nuk ka pasur kurrë as tradhti dhe as keqtrajtim prej anës time”, është shprehur ai.
Klodi ka thënë gjithashtu se ka dëgjuar shumë pretendime për veten dhe se situata ka qenë e rëndë si për të, ashtu edhe për familjen e tij. Në fund, ai ka zgjedhur të mos japë më shumë detaje, duke u shprehur se “koha do të tregojë çdo gjë”, ndërsa e ka mbyllur reagimin me një tjetër falënderim për ndjekësit: “Ju dua.”