Marokut i premtohet finalja e Botërorit 2030 nga infantino
Written by radio wave on August 7, 2026
Maroku mund të shkruajë histori në futbollin botëror, pasi FIFA po shqyrton mundësinë që finalja e Kupës së Botës 2030 të zhvillohet në Casablanca.
Sipas raportimeve, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka propozuar që ndeshja më e rëndësishme e turneut të luhet në stadiumin e ri “Hassan II”, i cili pritet të ketë një kapacitet prej rreth 115 mijë spektatorësh dhe të jetë një nga arenat më të mëdha në botë.
Zhvillimi vjen në një moment delikat për FIFA-n, e cila së fundmi është përballur me kundërshtime të forta lidhur me projektin për shitjen e një pjese të aksioneve të njësisë së saj komerciale. Pas reagimeve, veçanërisht nga UEFA, institucioni vendosi të tërhiqej nga plani.
Në këtë situatë, Infantino ka zhvilluar edhe një takim me drejtuesit e FIFA-s në Rabat, ku janë diskutuar çështje që lidhen me të ardhmen e organizatës dhe përgatitjet për Botërorin e vitit 2030.
Maroku do ta organizojë Kupën e Botës së bashku me Spanjën dhe Portugalinë. Nëse propozimi miratohet, Casablanca do të presë finalen e turneut, duke i dhënë vendit afrikan një rol historik në edicionin jubilar të kampionatit botëror.