MBI 6,000 REGJISTRIME NË MARATONËN E TIRANËS 2026 – APEL QYTETARËVE TË LËNË MAKINAT NË SHTËPI
Written by radio wave on November 13, 2026
Mbi 6,000 persona janë regjistruar deri më tani për Maratonën e Tiranës 2026, një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive që do të zhvillohet në kryeqytet.
Këtë vit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të provojnë veten në katër kategori të ndryshme: 1 kilometër, 5 kilometra, 10 kilometra dhe distancën e plotë prej 42 kilometrash.
E ftuar ne Wave Breakfast Show në Radio Wave 108 FM, me moderator Ergys Bamçi, Iva Beharaj, Drejtoreshë e Përgjithshme për Promovimin e Qytetit pranë Bashkisë së Tiranës, ndau detaje mbi organizimin dhe përgatitjet për këtë aktivitet.
Beharaj bëri gjithashtu një apel të drejtpërdrejtë për qytetarët që, ditën e maratonës, të shmangin përdorimin e makinave private dhe, aty ku është e mundur, t’i lënë ato në shtëpi, duke zgjedhur alternativa të tjera transporti.

Një arsye më shumë për të dalë dhe për ta shijuar këtë ditë është edhe moti: parashikimet premtojnë një ditë me diell, ideale për vrapuesit, tifozët dhe të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e atmosferës festive në Tiranë.
Maratona nuk është vetëm një garë sportive, por edhe një mundësi për ta kthyer qytetin në një hapësirë të përbashkët energjie, aktiviteti dhe promovimi.
Tirana vrapon, Tirana feston!





