MEGAN FOX RRËFEN SFIDAT PAS LINDJES DHE LUFTËN ME LODHJEN PAS PERIUDHËS SË SHTATZËNISË
Written by radio wave on October 29, 2025
Aktorja e njohur hollywoodiane, Megan Fox, ka folur me ndershmëri për sfidat emocionale dhe fizike që po përjeton pas lindjes së vajzës së saj, Sage Blade, të cilën e solli në jetë në mars të këtij viti me ish-të fejuarin e saj, muzikantin Machine Gun Kelly.
Të shtunën, më 25 tetor, Fox mori pjesë në një sesion “Pyetje-Përgjigje” në Los Angeles me rastin e 15-vjetorit të filmit kult Jennifer’s Body. Gjatë bisedës, ajo u hap për periudhën e vështirë pas lindjes dhe ndikimin që ajo ka pasur në jetën e saj profesionale dhe personale.

“Dua të them se sapo linda një fëmijë dhe ende kam ‘mjegull pas lindjes’. Nuk kam fjetur për shtatë muaj,” u shpreh aktorja, duke shtuar se mungesa e gjumit dhe lodhja e vazhdueshme i bëjnë të vështira paraqitjet publike. “Nëse po përsëris veten, mos ngurroni të më ndërprisni dhe të kthehemi në temë,” tha ajo me humor, ndërsa publiku e priti me duartrokitje.
Saga Blade është fëmija i parë i përbashkët i Megan Fox dhe Machine Gun Kelly. Më herët gjatë këtij viti, MGK zbuloi kuptimin e veçantë të emrit të vajzës së tyre gjatë një interviste në emisionin Today. “Emri i saj përfaqëson udhëtimin e saj të ardhjes, shkuarjes dhe kthimit gjatë viteve. Është një histori epike dhe ‘Saga’ është pikërisht ajo që do të thotë,” tha ai, duke shtuar se inspirimi lidhet edhe me rrënjët e tij norvegjeze, ku “Saga” është perëndesha nordike e tregimit të historive.
“Unë besoj se edhe ajo do të tregojë histori të mrekullueshme një ditë. Megan është një nënë e jashtëzakonshme dhe po bën një punë të shkëlqyer,” shtoi muzikanti, duke e cilësuar Fox si një forcë të vërtetë në çdo aspekt të jetës.
Kujtojmë se Megan Fox ka folur hapur edhe më parë për humbjen e shtatzënive, përfshirë një abort të dhimbshëm që e përjetoi me MGK – temë të cilën e ka trajtuar në librin e saj poetik Pretty Boys Are Poisonous. Në një intervistë të vitit 2023 për WWD, ajo rrëfeu gjithashtu se kishte kaluar një shtatzëni ektopike, duke e përshkruar përvojën e fundit si më të vështirën për shkak të lidhjes së fortë emocionale që kishte në atë kohë.

“Kam kaluar edhe më parë situata të tilla, por kurrë me dikë që e kam dashur kaq shumë,” u shpreh ajo, duke pranuar se dashuria për MGK e kishte bërë humbjen edhe më të dhimbshme.
Edhe pse Megan Fox ka kaluar momente të vështira, fansat e saj po e mbështesin fuqishëm në këtë fazë të jetës. Aktorja, e cila prej vitesh ka qenë një ikonë e fuqisë dhe bukurisë në Hollywood, duket se është e vendosur ta përballojë këtë periudhë me po të njëjtin kurajë që e ka karakterizuar gjithmonë.