Current track

Title

Artist

“Mora fjalë” largohet nga platformat online, përplasje për të drejtat e autorit

Written by on September 24, 2026

Një prej këngëve më të njohura dhe më të përhapura në Kosovë dhe në trojet shqiptare, “Mora fjalë”, nuk gjendet më në platformat online, pas një përplasjeje lidhur me të drejtat e autorit. Bëhet fjalë për versionin origjinal të këngës, të interpretuar nga Shkurte Fejza, ndërsa autor i tekstit dhe muzikës është Naim Gjoshi.

Përmes zyrës së tij ligjore, Gjoshi ka kërkuar që vepra të largohet nga kanalet zyrtare ku ishte publikuar, duke bërë të qartë se çdo publikim apo shpërndarje pa autorizimin e autorit konsiderohet, sipas përfaqësuesve të tij, përdorim i paautorizuar. Paralajmërimi përfshin edhe platformat e mëdha sociale si YouTube, Facebook, Instagram dhe TikTok.

Në deklaratën e zyrës ligjore thuhet se personat apo subjektet që dëshirojnë të vazhdojnë përdorimin e këngës duhet të sigurojnë paraprakisht autorizimin përkatës nga autori. Po ashtu, sipas përfaqësuesve të Gjoshi-t, duhet të adresohet edhe përdorimi i kryer deri më tani.

Zyra ligjore ka theksuar se fakti që një këngë është publikuar në internet nuk do të thotë se ajo është pa pronar apo e lirë për t’u përdorur. Sipas deklaratës, ndërhyrjet synojnë mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe jo denigrimin e artistëve që e kanë interpretuar ose bërë të njohur veprën.

“Mora fjalë” është bërë ndër vite një prej këngëve më të identifikueshme të repertorit të Shkurte Fejzës dhe është përhapur gjerësisht në Kosovë dhe në trojet shqiptare. Deri tani, këngëtarja nuk ka reaguar publikisht lidhur me heqjen e këngës nga platformat online apo përplasjen mbi të drejtat e autorit.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist