Noizy rrëfen Në GJYQ natën e tritolit: “E gjeta gjithçka të shkatërruar”
Written by radio wave on June 4, 2026
Reperi i njohur shqiptar Noizy ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, duke folur për ngjarjen e rëndë të vitit 2022, kur një sasi lënde plasëse shpërtheu pranë biznesit të tij në Durrës.
Gjatë dëshmisë, artisti tregoi se mësoi për shpërthimin vetëm pasi u zgjua në mëngjes dhe pa dëmet e shumta të shkaktuara në zonë. Sipas tij, shpërthimi kishte shkatërruar hyrjen e pallatit, xhamat e bizneseve dhe një pjesë të konsiderueshme të pronës së tij.

Noizy foli edhe për konfliktin e hershëm me Cllevion, duke deklaruar se për vite me radhë ka qenë objekt i ofendimeve dhe kërcënimeve në rrjetet sociale. Ai tha se përplasja fizike mes tyre ndodhi vetëm një ditë para vendosjes së tritolit, pas një debati që eskaloi në ambientet e një lokali në Durrës.
Reperi pretendoi se situata nuk përfundoi me kaq, duke shtuar se më vonë iu dogj edhe një automjet, ngjarje që sipas tij lidhej me të njëjtin konflikt. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka pasur kurrë njohje apo kontakt me Laert Haxhiun dhe se emrin e tij e dëgjoi vetëm pasi rasti u bë publik në media.
Dëshmia e Noizyt ka sjellë detaje të reja mbi një nga episodet më të komentuara të viteve të fundit, ndërsa procesi ndaj Laert Haxhiut vijon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik.