OKB-ja mobilizon miliarda DOLLARë kundër shkretëtirëzimit
Written by radio wave on August 17, 2026
Ndërsa temperaturat ekstreme dhe thatësirat po godasin gjithnjë e më shumë hemisferën veriore, Kombet e Bashkuara kanë mbledhur këtë javë në Mongoli përfaqësues nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar një prej sfidave më të mëdha mjedisore: degradimin e tokës dhe mungesën e ujit.
Në qendër të samitit është përdorimi i më shumë se 12 miliardë dollarëve që synojnë të financojnë projekte konkrete në vendet më të prekura nga thatësira dhe shkretëtirëzimi.
Fondet pritet të përdoren për përmirësimin e sistemeve të ujitjes, zhvillimin e kulturave bujqësore më rezistente ndaj temperaturave të larta dhe ruajtjen më efikase të burimeve ujore. Objektivi kryesor është mbështetja e fermerëve dhe komuniteteve që po përballen me mungesë gjithnjë e më të madhe të ujit.
Samiti zhvillohet në një moment kritik për bujqësinë globale. Thatësirat dhe temperaturat e larta kanë dëmtuar prodhimet në disa rajone, duke shtuar frikën për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe pasigurinë ushqimore.
OKB-ja paralajmëron se, nëse kushtet ekstreme të motit vazhdojnë të përkeqësohen, miliona njerëz mund të përballen me mungesë ushqimi dhe rrezik më të madh nga uria.
Takimi në Mongoli synon të kthejë shqetësimet për klimën në masa konkrete, me investime që mund të ndihmojnë vendet e prekura të përshtaten me një realitet ku uji dhe toka pjellore po bëhen gjithnjë e më të çmuara.