sonny k elson: Për një Tiranë pa Fotoshop
Written by radio wave on October 27, 2025
Sot në studion e Radio Wave ishte i ftuar fotografi i njohur dhe plot energji pozitive, Sonny K. Elson, i cili solli një këndvështrim ndryshe mbi Tiranën — qytetin që ai e sheh si një muze të gjallë ngjyrash, emocionesh dhe kontrastesh.
Sonny tha se Tirana ka nevojë për jetë, për më shumë gjallëri, për emocione të përditshme që nisin që poshtë pallatit, aty ku fëmijët luajnë, të moshuarit takohen dhe njerëzit përshëndesin njëri-tjetrin. “Janë këto momente të vogla që i japin shpirt qytetit,” – u shpreh ai.
Në një krahasim plot ndjesi, Sonny tha se Tirana është si një grua 40-vjeçare – e pjekur, e maturuar, me dritë dhe me ngjyra. Një qytet që ka kaluar shumë, por që vazhdon të rrezatojë bukuri, elegancë dhe forcë.
Sipas tij, Tirana është magnetike për çdo fotograf, sepse i ka të gjitha: ndërthurjen mes të vjetrës dhe modernes, kontrastin e fasadave, dritën unike të mëngjesit dhe atë të perëndimit, që vetëm një sy i mprehtë mund ta kapë.
Kur u pyet se si do ta përfytyronte një statujë për fotografinë në Tiranë, Sonny tha me pasion se do të ishin dy statuja – një e re dhe një e vjetër – që “i sheh dielli dhe ndryshojnë hijen gjatë rrotullimit të dritës”. Një simbol i kalimit të kohës, i evolucionit dhe i bashkëjetesës së së shkuarës me të tashmen.
Duke e ruajtur gjithmonë humorin e tij karakteristik, ai shtoi me të qeshur:
“Ndoshta Tiranës i duhet një fotograf si kandidat për ta përfaqësuar më mirë në arenën europiane — me foto, me frymë dhe pse jo, edhe me flokë të gjata. Sepse kush kujdeset për flokët e gjatë, kujdeset edhe për qytetin e vet!”
Në fund, Sonny tha se do ta bënte me shumë dëshirë foton ikonike të kryetarit apo kryetares së ardhshme të Bashkisë së Tiranës, sepse, siç tha ai, “ajo foto duhet të përfaqësojë jo vetëm një njeri, por gjithë shpirtin e kryeqytetit”.
Me mesazhin e tij “Për një Tiranë pa fotoshop”, Sonny K. Elson na kujtoi se bukuria nuk ka nevojë të maskohet — mjafton të shihet me sytë e duhur.