Tony Boy përfundon në burg, reperi italian akuzohet për drogë dhe armëmbajtje
Written by radio wave on August 24, 2026
Reperi italian Tony Boy, emri i vërtetë Antonio Hueber, është arrestuar në Milano dhe është transferuar në burgun San Vittore, pas një kontrolli policor në banesën e tij.
26-vjeçari dyshohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe armëmbajtje pa leje. Hetimet përfshijnë edhe akuza të tjera, mes tyre rezistencë ndaj efektivëve dhe përpunim të paligjshëm të të dhënave, pasi reperi filmoi ndërhyrjen e policisë dhe e transmetoi drejtpërdrejt në rrjetet sociale.

Gjatë kontrollit në banesën e tij në zonën Città Studi të Milanos, autoritetet sekuestruan kokainë, hashash, marijuanë dhe një peshore. Në banesë u gjet gjithashtu një pistoletë e kalibrit 6.35 me numër serie të fshirë, një karikator me shtatë fishekë dhe dhjetëra fishekë të tjerë.
Tony Boy, i cili gjatë ndërhyrjes kundërshtoi praninë e policisë dhe deklaroi në transmetimin live se efektivët ndodheshin në shtëpinë e tij pa mandat, u arrestua pas përfundimit të kontrollit.
Një 32-vjeçar që ndodhej me të në momentin e ndalimit nuk është arrestuar, por po hetohet në gjendje të lirë. Ndërkohë, autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë e plota në këtë çështje.