Pranoi fajin për kërcënimin ndaj Alaudin Hamitit, Gjykata merr vendimin për Liman Berishën
Written by radio wave on April 17, 2026
Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Liman Berisha, i akuzuar për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti.
Një ditë më parë, i akuzuari kishte pranuar fajësinë për veprën penale dhe kishte kërkuar nga gjykata një dënim më të lehtë, duke shprehur pendesë për veprimet e tij. Prokuroria nuk kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë.
Gjykatësi i çështjes, Eroll Gashi, konstatoi fajësinë e të pandehurit dhe vendosi dënim me gjobë në vlerë prej 2,500 eurosh. Sipas vendimit, shuma mund të paguhet në dy këste të barabarta.
Po ashtu, gjykata vendosi ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Berishës. Periudha e kaluar në arrest shtëpiak nga 19 marsi deri më 16 prill 2026 do të llogaritet si pjesë e dënimit financiar, ku çdo ditë do të barazohet me 20 euro të gjobës.
Në rast se gjoba nuk paguhet, ajo do të zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritur një ditë burgimi për çdo 20 euro të papaguara.
Ndërkohë, Alaudin Hamiti është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta ndjekë përmes kontestit civil.
I dënuari është obliguar gjithashtu të mbulojë edhe shpenzimet procedurale: 20 euro për fondin e kompensimit të viktimave dhe 100 euro për paushallin gjyqësor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, rasti lidhet me mesazhe kërcënuese të dërguara më 26 nëntor 2024 përmes Facebook-ut në adresën e Klan Kosova. Sipas dosjes, këto mesazhe shkaktuan ndjenjë frike dhe pasigurie te moderatori.
Berisha ishte akuzuar për veprën penale “Kanosja”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.