“Michael” thyen rekordet, por ndez debat në Hollywood
Written by radio wave on May 25, 2026
Filmi biografik “Michael”, i frymëzuar nga jeta e legjendës së muzikës Michael Jackson, po kthehet në një fenomen global në box office. Projekti ka arritur deri tani afro 690 milionë euro fitime në mbarë botën dhe është shumë pranë rekordit historik të “Bohemian Rhapsody”, që vazhdon të mbajë fronin si filmi muzikor biografik më fitimprurës.
Suksesi i filmit është rritur ndjeshëm pas premierave në tregjet amerikane dhe europiane, ndërsa pritet ende debutimi në Japoni – një nga tregjet më të rëndësishme për filmat muzikorë. Pikërisht aty producentët besojnë se “Michael” mund të kalojë shifrën rekord prej rreth 785 milionë eurosh.
Në rolin kryesor shfaqet Jaafar Jackson, nipi i artistit legjendar, i cili interpreton rrugëtimin e ikonës së popit nga ditët e para me Jackson 5 deri në ngritjen e tij si një prej artistëve më të famshëm në histori.
Megjithatë, filmi nuk ka shpëtuar nga polemikat. Kritikët kanë reaguar fort ndaj mungesës së trajtimit të akuzave për abuzim seksual që shoqëruan emrin e Jackson gjatë viteve të fundit të jetës së tij. Mediat amerikane raportojnë se disa skena dhe elementë të historisë janë hequr për arsye ligjore dhe marrëveshje të mëparshme.
Pavarësisht debateve, studioja Lionsgate duket e bindur për suksesin afatgjatë të projektit. Drejtuesit kanë konfirmuar se një vazhdim i filmit është tashmë në zhvillim dhe se një pjesë e mirë e materialit për produksionin e dytë është xhiruar.
Michael Jackson u nda nga jeta në vitin 2009, në moshën 50-vjeçare, pas një arresti kardiak të lidhur me përdorimin e anestetikut Propofol.