Franca Nderon Ermonela Jahon
Written by radio wave on May 26, 2026
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka marrë një nga vlerësimet më prestigjioze në botën e artit dhe kulturës. Artistja është dekoruar nga Franca me titullin “Chevalier des Arts et des Lettres”, një çmim që u jepet personaliteteve me ndikim të jashtëzakonshëm në skenën kulturore ndërkombëtare.
Përmes një reagimi emocional, Jaho e përshkroi këtë moment si një ndër nderimet më të rëndësishme të jetës dhe karrierës së saj artistike. Ajo u shpreh se Franca ka qenë gjithmonë simbol i dashurisë për artin, kulturën dhe vlerat njerëzore që frymëzojnë artistët në mbarë botën.
Sopranoja falënderoi të gjithë njerëzit që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të saj profesional, duke përmendur në mënyrë të veçantë agjentin e saj prej vitesh, Dominique Riber, si dhe Jean-Philippe Thiellay për mbështetjen dhe kontributin në këtë vlerësim të rëndësishëm.
Ceremonia u kthye në një moment tepër të veçantë edhe falë pranisë së miqve, artdashësve dhe publikut që ka ndjekur dhe mbështetur karrierën e saj ndër vite.
Ermonela Jaho vazhdon të mbetet një nga figurat më të suksesshme shqiptare në arenën ndërkombëtare të operës, me performanca në skena prestigjioze si Royal Opera House, Metropolitan Opera dhe Teatro alla Scala.