Current track

Title

Artist

Kate Winslet drejt Netflix? Ylli i Hollywood-it mund të marrë rolin kryesor në sezonin e ri të “Adolescence”

Written by on July 6, 2026

Një emër i madh i Hollywood-it mund t’i bashkohet një prej serialeve më të suksesshme të viteve të fundit. Sipas mediave britanike, Kate Winslet është në bisedime për të qenë protagonistja e sezonit të dytë të hitit të Netflix, “Adolescence”.

Raportimet e fundit bëjnë të ditur se projekti është tashmë në zhvillim, ndërsa producentët po punojnë për një histori krejtësisht të re. Burime pranë produksionit thonë se ka shumë entuziazëm për përfshirjen e aktores fituese të Oscar-it, edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar.

Për muaj me radhë është përfolur se Stephen Graham dhe skenaristi Jack Thorne po përgatisnin vazhdimin e serialit. Vetë Graham kishte lënë të kuptohej më herët se ideja ishte në fazat e para të zhvillimit dhe se realizimi mund të kërkonte disa vite, por duket se planet kanë ecur shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar.

Sezoni i parë i “Adolescence” u shndërrua në një fenomen global, duke rrëfyer historinë tronditëse të një 13-vjeçari të akuzuar për vrasjen e një bashkëmoshatari. Seriali u vlerësua gjerësisht nga kritika dhe publiku, duke grumbulluar mbi 145 milionë shikime dhe duke u renditur mes prodhimeve më të ndjekura të Netflix.

Krijuesit kanë bërë të qartë se historia e personazhit Jamie ka përfunduar, ndaj sezoni i dytë nuk do të jetë një vazhdim i drejtpërdrejtë, por do të sjellë një rrëfim të ri, duke ruajtur stilin unik që e bëri serialin një sukses ndërkombëtar.

Për momentin, as Kate Winslet dhe as Netflix nuk kanë reaguar ndaj zërave, por nëse raportimet rezultojnë të vërteta, sezoni i ri i “Adolescence” pritet të jetë një nga projektet më tëpritura të platformës.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist