Current track

Title

Artist

“Minions” pushtojnë kinematë! Filmi i ri dominon ‘box office’ dhe lë pas rivalët

Written by on July 6, 2026

Personazhet më të dashur të animacionit kanë rikthyer magjinë në ekranin e madh. “Minions & Monsters”, prodhimi më i ri i Universal dhe Illumination, ka debutuar fuqishëm, duke marrë kryesimin e ‘box office’ gjatë fundjavës së Ditës së Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara.

Filmi ka nisur fundjavën me një arkëtim prej rreth 14.7 milionë eurosh vetëm të premten, ndërsa parashikimet tregojnë se do të mbyllë fundjavën me rreth 36.3 milionë euro në Amerikën e Veriut. Edhe tregjet ndërkombëtare pritet t’i shtojnë suksesit edhe rreth 80 milionë euro të tjera, duke e kthyer filmin në një nga debutimet më të forta të sezonit.

Franshiza “Minions” vazhdon të dëshmojë se mbetet një makineri e vërtetë suksesi në industrinë e filmit. Titujt e mëparshëm si “Despicable Me 4”, “Minions: The Rise of Gru” dhe filmi i parë “Minions” kanë gjeneruar fitime marramendëse në mbarë botën, duke u renditur mes animacioneve më fitimprurëse të të gjitha kohërave.

Në vendin e dytë të renditjes është pozicionuar “Toy Story 5”, i cili vijon të tërheqë familjet në kinema. Filmi arkëtoi rreth 12 milionë euro të premten dhe pritet ta mbyllë fundjavën me afro 29.4 milionë euro.

Podiumi plotësohet nga “Young Washington”, që parashikohet të arrijë rreth 14.7 milionë euro në fundjavë, ndërsa “Supergirl” renditet e katërta, duke shënuar një rënie të ndjeshme në arkëtime krahasuar me javët e para të shfaqjes.

Top 5 mbyllet nga “Disclosure Day”, i cili vazhdon të mbajë një ritëm të qëndrueshëm në kinema dhe pritet të arrijë rreth 5.1 milionë euro gjatë fundjavës. Pas katër javësh në ekranet e Amerikës së Veriut, filmi është shumë pranë shifrës së 95.7 milionë eurove në arkëtime.

Me këtë nisje spektakolare, “Minions & Monsters” konfirmon edhe një herë se aventurat e personazheve të verdhë mbeten ndër më të preferuarat e publikut në mbarë botën.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist