“Kloni” i Haaland po çmend rrjetin, por nuk është ajo që mendoni…
Written by radio wave on July 13, 2026
Jo vetëm Erling Braut Haaland ishte në qendër të vëmendjes gjatë Kupës së Botës 2026. Paralelisht me paraqitjet e shkëlqyera të sulmuesit norvegjez, një modele ruse është kthyer në fenomen në rrjetet sociale për shkak të ngjashmërisë së habitshme me yllin e futbollit.
Bëhet fjalë për Anastasia Kostromitina, 24-vjeçaren që brenda pak javësh ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm falë videove ku imiton pamjen, mimikat dhe reagimet karakteristike të Haaland. Postimet e saj janë bërë virale, duke i sjellë mbi 150 mijë ndjekës në Instagram dhe më shumë se 100 milionë shikime në platformat sociale.
Në një intervistë për TalkSport, Anastasia tregoi se ngjashmërinë me futbollistin e kishte kuptuar vite më parë, pasi miqtë e saj ia kishin vënë në dukje vazhdimisht. Sipas saj, gjatë Botërorit 2026 pa se në internet po krijohej një trend me persona që i ngjanin Haaland dhe vendosi t’i bashkohej edhe ajo.
“E mendova si diçka argëtuese dhe nuk e prisja që videot të shpërthenin në këtë mënyrë. Papritur gjithçka u bë virale”, u shpreh modelja.
Edhe në një prononcim për Reuters, ajo tha se nuk ndihet aspak në siklet nga krahasimet me sulmuesin norvegjez. Përkundrazi, Anastasia e sheh të gjithë situatën si një mënyrë për të argëtuar publikun.
“Nëse njerëzit qeshin me videot e mia, aq më mirë. Nuk kam arsye të turpërohem dhe ndihem mirë me veten”, deklaroi ajo.
Anastasia Kostromitina është pjesë e një agjencie mode në Rusi dhe prej kohësh ndërton edhe karrierën si influencuese. Në rrjetet sociale ajo ndan momente nga udhëtimet, rutina e kujdesit personal, moda dhe jeta e përditshme, por pikërisht ngjashmëria e pazakontë me Erling Haaland e ka kthyer në një nga personazhet më të komentuar të këtij Botërori.