Egnatia gati sonte për një mbrëmje historike
Written by radio wave on July 28, 2026
Egnatia zbret sot në fushë për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, ku do të përballet me kampionët sllovenë të Celjes në sfidën që do të vendosë skuadrën që avancon në raundin e tretë eliminator të Champions League.
Pas barazimit spektakolar 3-3 në takimin e parë në Rrogozhinë, gjithçka mbetet e hapur. Kampionët e Shqipërisë synojnë të shkruajnë historinë, pasi një kualifikim do të ishte i pari i këtij niveli për klubin në kompeticionin më prestigjioz europian.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede pritet të fokusohet te përmirësimi i fazës mbrojtëse, ndërsa reparti ofensiv, që ka bindur në ndeshjet europiane të kësaj vere, mbetet shpresa më e madhe për të siguruar rezultatin e kërkuar në transfertën sllovene.
Pas eliminimit të Petrokubit në raundin e kaluar, Egnatia është vetëm një hap larg një tjetër suksesi të madh. Nëse arrin kualifikimin, kampionët shqiptarë do të përballen në raundin e tretë me fituesin e çiftit Ararat – Shamrock Rovers.