Dentisja që mund të trashëgojë milionat e Epstein
Written by radio wave on July 28, 2026
Emri i Karyna Shuliak, një dentiste me origjinë nga Bjellorusia, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të dokumenteve të reja hetimore në Shtetet e Bashkuara. Sipas dosjeve, ajo konsiderohet një nga personat që mund të përfitojë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së Jeffrey Epstein.
Raportimet bëjnë të ditur se Shuliak mund të trashëgojë deri në 85 milionë euro, si edhe një unazë diamanti 33 karatësh. Megjithatë, vlera përfundimtare e pasurisë së Epstein mbetet e paqartë, pasi një pjesë e saj është përdorur për dëmshpërblimin e viktimave.

Dokumentet zbulojnë se marrëdhënia mes Shuliak dhe Epstein zgjati për rreth tetë vite. Sipas tyre, ai e mbështeti financiarisht, i siguroi akses në llogari bankare, financoi studimet e saj në Universitetin Columbia dhe e ndihmoi në çështje që lidhen me qëndrimin e saj ligjor në SHBA.
Në dosje thuhet gjithashtu se Shuliak udhëtoi shpesh me Epstein dhe ishte e përfshirë në administrimin e disa prej pronave dhe çështjeve të tij personale. Pak para vdekjes, ai ndryshoi testamentin duke përfshirë edhe një unazë diamanti si dhuratë për të.
Publikimi i këtyre dokumenteve ka nxitur reagime edhe në Universitetin Columbia, ku disa zyrtarë janë larguar nga detyra për shkak të rolit të tyre në procesin e pranimit të Shuliak.