UEFA kërcënon FIFA-n: “Pa Evropën nuk ka Kupë Bote”
Written by radio wave on July 31, 2026
Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s ka arritur kulmin. Të 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë votuar në favor të bojkotimit të Kupës së Botës, nëse FIFA vazhdon me planin për të lejuar investitorë privatë të blejnë aksione në kompeticionin më të madh të futbollit.
Në një deklaratë me tone të forta, UEFA e cilëson të papranueshme idenë për ta trajtuar Kupën e Botës si një aset financiar, duke theksuar se turneu u përket futbollistëve, ekipeve kombëtare dhe tifozëve, e jo investitorëve.
“Kupa e Botës nuk është në shitje”, thekson organizata europiane, duke akuzuar FIFA-n se ka hartuar planin pa konsultime reale me federatat dhe se po vendos interesat financiare mbi të ardhmen e futbollit.
UEFA paralajmëron se hyrja e kapitalit privat do të ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si drejtohet futbolli, pasi vendimet për kalendarin, formatin e garave dhe zhvillimin e sportit do të ndikoheshin nga interesat e aksionarëve dhe jo nga ato të lojës.
Deklarata shkon edhe më tej, duke bërë të ditur se asnjë kombëtare europiane nuk do të marrë pjesë në garat e FIFA-s për aq kohë sa ky projekt mbetet në fuqi, përveç rastit kur plani të tërhiqet plotësisht dhe FIFA të garantojë se nuk do të hapë më kurrë kompeticionet e saj ndaj pronësisë private.
Në fund të reagimit, UEFA dërgon një mesazh të prerë: “Disa gjëra janë shumë të rëndësishme për t’u shitur. Kupa e Botës i përket futbollit dhe nuk do të jetë kurrë në shitje.”
Nëse ky qëndrim mbetet i pandryshuar, futbolli botëror mund të përballet me një nga krizat më të mëdha institucionale në historinë e tij.