A$AP ROCKY SHKRUAN HISTORI NË MODË: ME RIHANNËN BËHET I PARI QË FITON ÇMIMIN E IKONËS SË MODËS
Written by radio wave on November 5, 2025
A$AP Rocky ka shtuar një tjetër trofe në koleksionin e tij mbresëlënës, pasi është nderuar me Çmimin e Ikonës së Modës nga Këshilli i Stilistëve të Modës të Amerikës (CFDA). Ky vlerësim e vendos reperin në një kategori të rrallë – dhe e bën atë gjysmën e një çifti që tashmë ka hyrë në historinë e modës.
Në vitin 2014, këtë çmim e kishte marrë Rihanna, e cila këtë herë qëndroi përkrah partnerit të saj në ceremoninë e mbajtur në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore, që shpesh cilësohet si “Oskari i Modës”. Të dy u shfaqën në tapetin e kuq me një stil që vetëm ata dinë ta përkthejnë në spektakël: Rihanna kishte veshur një kostum nga koleksioni Alaïa Pranverë/Verë 2026, ndërsa A$AP Rocky u paraqit me elegancë në një kostum Chanel – një përzgjedhje që kombinonte klasiken me guximin modern.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, Anna Wintour, drejtoresha e përmbajtjes së Condé Nast, e prezantoi reperin me fjalë të ngrohta dhe vlerësuese.
“Ai është me ne sonte, vetëm dy muaj pas lindjes së fëmijës së tij të tretë. Të shohësh A$AP Rocky si baba të përkushtuar dhe si një ikonë të modës është frymëzuese. Tani, ai është pjesë e familjes sonë CFDA,” – tha Wintour.

Në fjalimin e tij, A$AP Rocky falënderoi ekipin e tij për mbështetjen, veçanërisht në periudhat më të vështira të karrierës, duke e përmbyllur me një dedikim të ndjerë për partneren e tij:
“Shiko, ia dolëm,” – i tha Rihannës me një buzëqeshje që u përfol menjëherë në rrjetet sociale.
Me këtë arritje, A$AP Rocky dhe Rihanna konfirmojnë sërish se janë shumë më tepër se një çift – janë një fuqi kulturore që ndërthur muzikën, modën dhe ndikimin global në një mënyrë që rrallë shihet në botën e yjeve.