Alarm në kampin gjerman! Ylli i mbrojtjes rrezikon t’i japë lamtumirën Botërorit
Written by radio wave on June 22, 2026
Fitorja e Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë është lënë në hije nga shqetësimi për Nico Schlotterbeck. Mbrojtësi gjerman ka ngritur alarmin në kampin e “Panzerëve” pas një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e fundit, duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e tij në Botërorin 2026.
26-vjeçari ndjeu probleme në kyçin e këmbës që në minutat e para të takimit, por tentoi të vazhdonte lojën. Megjithatë, gjendja e tij u përkeqësua dhe ai u detyrua të mos rikthehej në fushë pas pushimit mes pjesëve.
Pas ndeshjes, trajneri Julian Nagelsmann nuk fshehu shqetësimin për gjendjen e mbrojtësit. Sipas tij, ekziston frika se bëhet fjalë për një dëmtim serioz të ligamenteve, një skenar që mund ta mbajë lojtarin larg fushave për një periudhë të konsiderueshme.
Raportet e para nga Gjermania flasin për dyshime mbi një këputje të ligamentit në kyçin e këmbës, ndërsa përgjigjja përfundimtare pritet pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore. Nëse diagnoza konfirmon frikën e stafit teknik, aventura e Schlotterbeck në Kupën e Botës mund të ketë marrë fund shumë më herët sesa ishte parashikuar.
Përveç ndikimit te kombëtarja, dëmtimi mund të ketë pasoja edhe për të ardhmen e lojtarit në merkato. Mbrojtësi i Borussia Dortmund ka qenë në radarët e disa klubeve elitare evropiane, me interes të raportuar edhe nga Real Madridi.
Tani, e gjithë Gjermania pret me ankth rezultatet e analizave. Nga ato do të varet jo vetëm fati i Schlotterbeck në Botëror, por edhe një pjesë e planeve të tij për sezonin dhe të ardhmen në futbollin europian.