DANI ALVES RIKTHEHET NË JETËN E LIRË DHE NË BESIM – NGA BURGJET NË PREDIKIMIN E FESË
Written by radio wave on October 28, 2025
Pas një beteje ligjore që zgjati plot tre vjet, Dani Alves është shpallur përfundimisht i pafajshëm më 28 mars 2025. Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Juventusit dhe PSG-së u lirua pas 14 muajsh burg, pasi gjykata hodhi poshtë akuzat për sulm ndaj një gruaje në një klub nate në Barcelonë.
Tani, jeta e tij ka marrë një drejtim krejtësisht të ri. Ai është pajtuar me partneren e tij, modelen Joana Sanz, dhe çifti ka bërë publik lajmin e bukur se presin fëmijën e tyre të parë. Por ky nuk është i vetmi ndryshim në jetën e futbollistit brazilian.

Dani Alves është përqendruar më shumë se kurrë në anën e tij shpirtërore. I njohur prej kohësh për devotshmërinë fetare, ai është parë së fundmi duke marrë pjesë në aktivitetet e Kishës Ungjillore Elis në Girona, ku jo vetëm lutet, por edhe predikon përpara besimtarëve.
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, Alves dëgjohet duke ndarë përvojën e tij personale, duke treguar se besimi e ndihmoi të përballonte periudhën më të vështirë të jetës.
“Duhet të keni besim, vëllezërit e mi, unë jam dëshmi e gjallë për këtë. Sepse ajo që Zoti premton, Zoti edhe e përmbush”, shprehet ai gjatë një prej meshave, i ftuar nga pastori Jimmy Martin.

Alves ka rrëfyer se gjatë kohës në burg bëri një “pakt” me Zotin, një zotim që duket se po e ndjek edhe tani që është i lirë. Në muajt e fundit, rrjetet e tij sociale janë mbushur me citate biblike, reflektime shpirtërore dhe rekomandime librash fetarë, duke treguar një transformim të plotë të jetës së tij.
Nga një karrierë e lavdishme në futboll, te një përvojë e errët pas hekurave dhe një rilindje përmes fesë, Dani Alves po tregon se për të, rruga drejt paqes dhe faljes kalon përmes besimit.