E BESONI DOT? BORAT FILLIMISHT ISHTE MENDUAR TË ISHTE SHQIPTAR!
Written by radio wave on November 3, 2026
Një nga personazhet më të famshëm të komedisë moderne mund të kishte pasaportë shqiptare! Aktori dhe komediani britanik Sacha Baron Cohen ka zbuluar një detaj të papritur nga historia e krijimit të Boratit, personazhit që u bë i njohur në mbarë botën përmes filmit të vitit 2006.
Gjatë një interviste në podcastin “Happy Sad Confused”, Cohen tregoi se versioni i parë i personazhit ishte zhvilluar për televizionin BBC dhe Borati, në atë fazë, ishte konceptuar si një personazh shqiptar.
Por kombësia e tij nuk ishte përfundimtare. Aktori shpjegoi se identiteti dhe origjina e personazhit ndryshonin në varësi të televizionit me të cilin bashkëpunonte. Në një version tjetër, ai u prezantua si Alexi Krickler, një personazh nga Moldavia.
Kur projekti përfundoi në HBO, Cohen vendosi që personazhi të vinte nga Kazakistani, duke zgjedhur një vend për të cilin, sipas tij, publiku amerikan dinte shumë pak.
Zbulimi erdhi në të njëjtën intervistë ku aktori kërkoi falje publike për herë të parë ndaj qytetarëve të Kazakistanit, duke pranuar se Borati nuk kishte asnjë lidhje reale me vendin dhe kulturën e tyre.
Filmi “Borat: Cultural Learnings of America for Make Benefit Glorious Nation of Kazakhstan” u kthye në një sukses ndërkombëtar, ndërsa personazhi u bë një fenomen i kulturës pop, falë humorit provokues dhe situatave absurde.
Tani, pas këtij rrëfimi, shqiptarët kanë një arsye më shumë për të bërë shaka me historinë e Boratit: personazhi që e gjithë bota njeh si kazak, në një version alternativ të historisë mund të ishte prezantuar si një shqiptar!





