ELSA LILA SHPËRTHEN NDAJ FESTIVALIT DHE RTSH: “VOTAT U BLENË, HAKU NUK M’U DHA”
Written by radio wave on October 31, 2025
Këngëtarja e njohur Elsa Lila, e rikthyer fuqishëm në skenë pas 25 vitesh me triumfin në Festivalin e Këngës, ka bërë deklarata të forta që kanë trazuar sërish botën e muzikës shqiptare.
E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, artistja ka hedhur dyshime të drejtpërdrejta mbi mënyrën si u zgjodh përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision, duke aluduar se procesi i votimit nuk ka qenë i ndershëm.
Sipas saj, Albina Kelmendi – dikur pjesë e skuadrës së saj në “The Voice of Albania” më 2014 dhe më pas fituese e votës së publikut në Festivalin e Këngës – ka përfituar nga blerja e votave.
“Ju mendoni që m’u dha haku që meritoja? Mendoj që jo, ç’publik?”, deklaroi Elsa në studio, duke nënvizuar se “provat janë të shumta” dhe se “votat janë blerë nga publiku, pafund”.

Artistja shtoi se kishte mundësi ta çonte çështjen në gjykatë, por vendosi të mos e bënte. “Atë çështje do e kisha çuar shumë larg, por nuk e bëra. Jam mësuar të mos merrem me polemika, por me talentin tim. Nuk desha t’i jepja skandalit edhe më shumë famë,” u shpreh ajo me tone të matura, por të ngarkuara.
Elsa nuk e la pa përmendur raportin e vjetër me Albinën, duke e përmendur në mënyrë indirekte: “Nuk e bëra skandalin, për të mos e bërë për herë të dytë akoma më të famshëm atë njeri që e bëra në vitin 2014 me duart e mia, me diturinë time dhe me artin tim. I njëjti person.”
Në fund, këngëtarja dha një paralajmërim enigmatik që u interpretua gjerësisht në rrjete: “Të kenë pak kujdes nga gjykatat, sepse funksionojnë kur duan. Hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë.”
Deklaratat e saj kanë ndezur sërish debatet në publik dhe në rrjete sociale, duke rikthyer në qendër të vëmendjes një nga garat më të përfolura të viteve të fundit — përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision me këngën “Duje” nga Albina & Familja Kelmendi.