Current track

Title

Artist

Jonida Eshja: Vajza që thotë gjërat troç, ashtu siç janë

Written by on November 4, 2025

Në studion e “Wave Breakfast Show” sot patëm një bisedë të drejtpërdrejtë dhe plot energji me Jonida Eshjën, vajzën që ka ndezur rrjetet sociale me videot dhe qëndrimet e saj të hapura. E njohur kryesisht në TikTok dhe Instagram, Jonida trajton tema që të gjithë i njohim, i përjetojmë, por shpesh nuk guxojmë t’i themi me zë. Ajo e bën këtë me humor, pa pretendime dhe pa e marrë veten shumë seriozisht – pikërisht kjo e bën të ndjekur.

Videot e saj arrijnë natyrshëm mijëra shikime, shpesh mbi 300 mijë, sidomos kur bëhet fjalë për situatat e përditshme mes meshkujve dhe femrave. Jonida i trajton këto situata me ironi dhe lojë, pa përfshirje personale, duke i kthyer në reflektim shoqëror me të qeshura. Megjithatë, reagimet në rrjet nuk mungojnë – nga ata që e përqafojnë hapur deri te ata që ndihen të prekur nga çiltërsia e saj.

Në bisedën tonë, Jonida ndau edhe një pjesë shumë interesante të historisë së saj: periudhën kur ka jetuar në Mynih të Gjermanisë. Ajo tregon se pikërisht atje ka mësuar të jetë mendjehapur, e sinqertë dhe direkte. Në një realitet ku njerëzit nuk e kanë frikë mendimin ndryshe, ajo kuptoi se liria e të shprehurit nuk është luks, por nevojë.

Gjithashtu, Jonida tregoi për kohën kur ka punuar si edukatore fëmijësh në Gjermani. Aty ajo pa një qasje krejt tjetër ndaj rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve: që prej moshave të vogla, ata mësohen të ecin vetëm, të provojnë vetë, të besojnë në aftësitë e tyre. “Në Shqipëri i përkëdhelim shumë fëmijët, u zgjidhim çdo gjë,” tha Jonida. “Ndërsa atje, fëmijët rriten me idenë se janë të aftë ta përballojnë vetë çdo situatë.”

Sot, Jonida është një vajzë që thotë gjërat troç, por gjithmonë me qeshje. Ajo provokon në mënyrë të vetëdijshme, jo për të ndezur debate, por për të hapur biseda. Sepse në fund, siç tha edhe vetë:

“Njerëzit shpesh reagojnë ndryshe nga çfarë janë vërtet. Unë thjesht jam vetja – dhe duket se publikut i pëlqen kjo.”


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist