Jonida Vokshi largohet nga Big Brother VIP Kosova
Written by radio wave on August 31, 2026
Pas katër vitesh në skenën e Big Brother VIP Kosova, Jonida Vokshi ka vendosur të mos rikthehet në sezonin e pestë të reality show-t.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë moderatorja përmes rrjeteve sociale, duke zbuluar se këtë herë do ta ndjekë spektaklin si një shikues i zakonshëm, nga ana tjetër e ekranit.
Për Jonidën, rrugëtimi me formatin ka qenë shumë më tepër se një eksperiencë televizive. Gjatë këtyre viteve, Big Brother e ka shoqëruar në disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së saj, nga shtatzënia deri te humbja e të atit, duke u kthyer në një kapitull të veçantë të karrierës dhe jetës personale.
Vendimi për t’u tërhequr duket se lidhet kryesisht me dëshirën për të ngadalësuar ritmin dhe për t’iu kushtuar më shumë familjes. Moderatorja ka lënë të kuptohet se vitet e fundit kanë qenë tepër intensive dhe se tashmë dëshiron të jetë më e pranishme për dy fëmijët e saj.
Megjithatë, largimi nga Big Brother VIP Kosova nuk do të thotë se Jonida po i jep lamtumirën televizionit. Përkundrazi, ajo e ka lënë derën hapur për projekte të reja, duke e cilësuar këtë ndryshim si një “presje” dhe jo si fundin e një kapitulli.
Jonida Vokshi ishte pjesë e formatit që prej sezonit të parë, duke ndarë moderimin me Alaudin Hamitin. Sezoni i pestë, i cili pritet të nisë në tetor, do të jetë kështu i pari në historinë e programit që do të vijë pa praninë e saj në rolin e moderatores.